Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se përparësia kryesore e inspektorëve është të kthehen në objektet bërthamore të Iranit për të vlerësuar ndikimin e sulmeve amerikane dhe izraelite dhe për të kontrolluar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.
“Ky është përparësia e parë”, theksoi Grossi gjatë një konference për shtyp nga Vjena, pasi ai dëshiron kthimin e inspektorëve të IAEA-s në objektet bërthamore iraniane, duke përfshirë tre ku Teherani pasuroi uranium deri në fillimin e luftës me Izraelin më 13 qershor.
Kur u pyet nëse Irani e kishte informuar atë për statusin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar, veçanërisht atë që është pasuruar deri në 60% – afër asaj që nevojitet për të bërë një armë bërthamore – Grossi iu referua një letre që mori nga Irani më 13 qershor. Në të, Teherani tha se do të merrte “masa të jashtëzakonshme” për të mbrojtur materialin dhe pajisjet e tij bërthamore.
“Ata nuk hynë në detaje rreth asaj që do të thotë kjo, por kjo është ajo që ata nënkuptuan qartë. Ne mund ta imagjinojmë se ky material ekziston”, komentoi shefi i IAEA-s, duke sugjeruar se shumica e uraniumit të pasuruar i shpëtoi bastisjeve amerikane dhe izraelite.
Ndërkohë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të samitit të aleancës në Hagë hodhi poshtë pretentimet për Iranin.
Trump u pyet nga gazetarët në lidhje me një raport të deklasifikuar që sugjeron se Irani mund të ketë ende kapacitete të fshehta për pasurimin e uraniumit.
“Askush nuk e di me siguri, por një gjë është e qartë, objektet që goditëm u shkatërruan plotësisht. Kemi arritur një shkatërrim total, siç nuk është parë më parë në një operacion të tillë.”, tha Trump.
Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, që po e shoqëron Trump në këtë samit, deklaroi se misioni ishte “i përsosur” dhe shkaktoi “shkatërrim të jashtëzakonshëm”.
“Çdo analizë që thotë të kundërtën,” shtoi Hegseth “ka motive të tjera.”






