Presidenti amerikan Donald Trump ka krahasuar goditjet ushtarake të fundjavës kundër Iranit me përdorimin e bombave bërthamore nga SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore në Japoni.
Gjatë fjalimit në samit të NATO-s që po mbahet në Holandë, Trump tha se ndërhyrjet amerikane në Iran ishin vendimtare për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe krahasoi efektin e tyre me sulmet në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945.
“Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës apo Nagasakit, por ishte në thelb e njëjta gjë: një veprim vendimtar që i dha fund luftës. Nëse nuk do të godisnim, ata do të ishin ende duke luftuar sot,” u shpreh Trump.
Presidenti amerikan u pyet gjithashtu për kërcënimet iraniane për të vazhduar pasurimin e uraniumit.
“Gjëja e fundit që ata duan të bëjnë tani është të pasurojnë diçka. Ata duan të riorganizohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, u shpreh Trump
Trump shtoi se po priste një raport zyrtar nga inteligjenca izraelite mbi dëmet e shkaktuara, të cilat sipas tij do të vërtetonin qëllimin dhe efektin “shkatërrues” të operacionit.
Edhe pse fillimisht pranoi se informacioni që SHBA-të kanë deri më tani është shumë i paqartë dhe se Izraeli do të jetë ai që do të zbulojë shkallën e saktë të dëmit, më vonë ai foli për asgjësim të plotë.
“Mendoj se ishte asgjësim i plotë , mendoj se ata nuk kishin kohë të shpëtonin asgjë sepse ne vepruam shpejt. Është shumë e vështirë dhe e rrezikshme të heqësh atë lloj materiali”, shtoi ai.






