Të paktën katër persona u vranë në një sulm me raketa iraniane në një ndërtesë banimi në Beer Sheva, Izrael, pak çaste para se të hynte në fuqi një armëpushim, i njoftuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

“Pati shkatërrime dhe dëme të gjera në ndërtesat e banimit si rezultat i një goditjeje të drejtpërdrejtë dhe fatale”, tha Eliya Yitzhak Tobol, kreu i degës Beer Sheva të organizatës së reagimit ndaj emergjencave, United Hatzalah.

Sipas raportimeve të para, raketa goditi një zonë të populluar duke shkaktuar panik në mesin e banorëve dhe dëme të mëdha në ndërtesa të shumta.

Ngjarja ndodhi ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar kishte shprehur shpresë për ulje të tensioneve pas arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim midis Iranit dhe Izraelit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Në pamjet e siguruara nga mediat ndërkombëtare, shihen shërbimet izraelite të emergjencës dhe oficerët e sigurisë, teksa kërkojnë për viktima në rrënojat e një ndërtese të goditur nga raketa iraniane.







