Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të reja herët në mëngjesin e së shtunës, një ditë pasi Teherani deklaroi se nuk do të negociojë për programin e tij bërthamor, ndërsa Europa po përpiqet të mbajë gjallë bisedimet për paqe.
Forcat Ajrore izraelite kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave strategjikë në territorin iranian, duke përfshirë qendra magazinimi dhe lëshimi raketash në pjesën qendrore të vendit.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte goditur objektin bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend. Zëvendësguvernatori i provincës konfirmoi sulmin, por theksoi se nuk ka viktima apo dëme të rrezikshme. Mediat iraniane thanë gjithashtu se Izraeli kishte sulmuar një ndërtesë në qytetin e Qomit, ku raportimet paraprake flasin për një 16-vjeçar të vrarë dhe dy persona të plagosur.
Forcat Ajrore izraelite njoftuan se kanë vrarë Amin For Judaki, komandant i njësisë së dytë të dronëve të Gardës Revolucionare. Forcat Ajrore Izraelite shpjegojnë se në rolin e tij, Amin For Judaki “filloi qindra lëshime të mjeteve ajrore pa pilot drejt territorit të Shtetit të Izraelit, nga zona e Ahvazit në Iranin jugperëndimor”.
Pak pas orës 02:30 të mëngjesit në Izrael, ushtria izraelite paralajmëroi për një breshëri raketash që po vinte nga Irani, duke shkaktuar aktivizimin e sirenave të sulmit ajror në disa zona të Izraelit qendror, përfshirë Tel Avivin.
Ndërkohë presidenti i SHBA, Donald Trump tha të enjten se do të vendosë brenda dy javësh nëse ushtria amerikane do të përfshihet drejtpërdrejt në luftë, duke pasur parasysh “mundësinë e konsiderueshme” për rinisjen e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.
Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore.Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.
Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 657 njerëz në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.
Izraeli ka shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar Qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.
“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.
Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile.
Udhëheqësi suprem i Iranit hodhi poshtë thirrjet e SHBA-ve për dorëzim të mërkurën dhe paralajmëroi se çdo përfshirje ushtarake nga ana e amerikanëve do t’u shkaktonte atyre “dëme të pariparueshme”








