Në zarfet me logon e Gardës Revolucionare (IRGC), shtyllës themelore të Republikës Islamike, shkruhet: “Përgatituni kundër tyre me çdo forcë dhe me kuaj të luftës, për t’i mbjellë frikë armikut të Allahut”. Bëhet fjalë për ajetin 60 të Sures Al-Anfal, “Plaçka e luftës”.
Gjatë këtyre shtatë ditëve lufte mes Benjamin Netanyahut dhe ajatollahut Ali Khamenei, ndër skenarët e hedhur në tryezë për të ardhmen e Lindjes së Mesme, të cilët nganjëherë ngjajnë më shumë me dëshira sesa realitete, shpesh përmendet edhe emri i tyre: pasdaranët.
Qarkullon lajmi se Udhëheqësi Suprem ka transferuar një pjesë të konsiderueshme të pushteteve të tij tek Këshilli i Komandës së IRGC-së. E ka bërë këtë si një akt parandalues, për të siguruar që menaxhimi i luftës të vazhdojë edhe nëse ai vritet.
Janë dy hipoteza që i shohin Gardat e Revolucionit si protagoniste:
Hipoteza e parë i mban në pushtet: Ajatollahu detyrohet të tërhiqet ose eliminohet, dhe një gjeneral i IRGC-së merr drejtimin e vendit, ndoshta duke bërë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, në të cilën premton fundin e programit bërthamor dhe atij raketor. Një rezultat që mund të kënaqte Netanyahun dhe mikun e tij Trump, i cili do ta paraqiste si një “mision i kryer”. Një zgjidhje që kujton fatin e Egjiptit të Hosni Mubarak. Në vitin 2011, gjatë “Pranverës Arabe”, ai u detyrua t’ia dorëzonte pushtetin Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, i cili mori drejtimin e vendit. Për shumë iranianë, kjo është një nga skenarët më të këqij për t’u imagjinuar, sepse do të ruante status quo-në: shtypje, mungesë të të drejtave, aparteid gjinor.
Hipoteza e dytë është eliminimi i Republikës Islamike. Kjo është ajo që politologu iranian dhe ekspert i IRGC-së, Saeid Golkar, e quan “një ndryshim i vërtetë regjimi”. “Nëse ndër objektivat izraelite dhe amerikane është ndryshimi i regjimit, atëherë duhet të eliminohet gjithçka që përfaqëson regjimi. Kjo do të thotë të hiqet Khamenei dhe drejtuesit e lartë të pasdaranëve: deri tani janë eliminuar 25”.
Gardat e Revolucionit përbëhen nga rreth 180 mijë anëtarë. Dy mijë prej tyre, shpjegon Golkar, janë më me ndikim. Ndër ta, dyqind janë drejtuesit e vërtetë. “Këta 2000 duhen eliminuar, të tjerët mund të binden të bashkohen me ushtrinë e rregullt. Një operacion që nuk mund të kryhet me raketa nga qielli, por kërkon komando në terren. Deri tani nuk kemi asnjë shenjë që të çojë në këtë drejtim, por me shpejtësinë me të cilën ndryshojnë rrethanat, gjithçka është e mundur”, vazhdon politologu, i cili nuk beson se do të ketë tradhti nga gjeneralët.
Besnikëria e këtyre burrave është jetike për ekzistencën e regjimit: vështirë se do ta braktisin atë.
Ata janë një kompromis mes ushtrisë, një perandorie ekonomike dhe një urdhri fetar. Mund të bëhen pjesë e saj vetëm ata që vijnë nga qarqet shiite dhe konservatore, përjashtuar ndonjë përjashtim sunit. Trupa e Gardës Revolucionare lindi në prill të vitit 1979 me urdhër të Khomeinit, pak muaj pas themelimit të Republikës Islamike. Nuk janë forca të zakonshme: janë krijuar për të mbrojtur — pothuajse si roje personale, “pronarët” e rinj të vendit: ajatollahët. Të pamëshirshëm, kanë detyrën gjithashtu të mbikëqyrin ushtrinë e rregullt dhe të eliminojnë këdo që është besnik ndaj diktaturës së vjetër ose i kundërvihet Revolucionit: arrestojnë, torturojnë dhe varin anëtarë të grupeve të majta radikale si MEK dhe Partia Tudeh.
Gjatë luftës me Irakun (1980-1988), shndërrohen në një forcë më konvencionale. Pas luftës, me ngjitjen e Khameneit si Udhëheqës Suprem, IRGC-ja zgjerohet dhe fiton gjithnjë e më shumë pushtet, duke përfshirë edhe Basij-in, një milici vullnetare për shtypjen e brendshme, dhe Forcën Quds për operacione jashtë vendit.
Në vitet ’90, ndikimi i IRGC-së shtrihet në ekonomi, politikë dhe madje edhe në ndërtim. Bëhen një perandori e frikshme dhe shumë e urryer nga populli.
Golkar shpjegon se për të mbajtur nën kontroll pasdaranët, Khamenei ka ndërtuar një sistem kontrolli që nuk lë asnjë hapësirë:
Kundërzbulimi: çdo ushtar, çdo oficer, është nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Mbikëqyrja ideologjike.
Privilegjet: paga më të larta dhe sidomos qasje në kontratat publike më fitimprurëse.
Një burim i brendshëm nga Irani i tha “Corriere della Sera” se Khamenei vështirë se do të dorëzohet përballë kërkesave amerikane dhe pasdaranët mund ta mbështesin. Ajatollahu mund të ndjekë shembullin e Saddam Husseinit dhe të ndryshojë shpesh vendndodhje. Sipas këtij burimi, nëse ai do të vritej, regjimi rrezikon të kolapsojë, sepse është një sistem ultra-personalist: gjithçka sillet rreth figurës së tij.









