Dhimbja e dhëmbit është një nga shqetësimet më të zakonshme që prek njerëzit e çdo moshe. Shpesh, kjo dhimbje sinjalizon një problem të fshehur me dhëmbin ose mishrat, dhe ndonëse mund të fillojë si e lehtë, ajo mund të bëhet shumë e fortë dhe e bezdisshme.
Për dhimbje të lehta dhe të përkohshme, disa kura natyrale mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat pa pasur nevojë për medikamente. Ndër më të zakonshmet janë shpëlarja me ujë të kripur, përdorimi i kompresës së ftohtë, çajit të nenexhikut, apo aplikimi i hudhrës.
Uji i kripur vepron si një dezinfektues natyral që ndihmon në pastrimin e gojës dhe reduktimin e inflamacionit. Gjithashtu, shpëlarja me peroksid hidrogjeni (3%), kur përzihet me ujë, mund të ndihmojë në zvogëlimin e dhimbjes dhe eliminimin e baktereve. Kompresat e ftohta ndihmojnë në qetësimin e enëve të gjakut, sidomos kur dhimbja është pasojë e ndonjë traume.
Qeset e çajit me nenexhik mund të përdoren si të ngrohta ashtu edhe të ftohta, për të qetësuar zonën e dhimbjes. Hudhra, falë vetive antibakteriale, mund të aplikohet direkt mbi dhëmb në formë paste për një efekt lokal qetësues.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto janë vetëm zgjidhje të përkohshme. Nëse dhimbja vazhdon më shumë se një ose dy ditë, është e domosdoshme të kërkoni ndihmë profesionale nga një dentist, në mënyrë që të identifikohet dhe trajtohet shkaku kryesor.
Në rast se jeni shtatzënë, ushqeni me gji apo vuani nga ndonjë sëmundje kronike, rekomandohet që të konsultoheni me mjekun përpara përdorimit të çdo kure natyrale.








