Trita Parsi, nënkryetari ekzekutiv i Institutit Quincy në SHBA, thotë se kërkesa e Donald Trump që Irani të heqë dorë plotësisht nga pasurimi i uraniumit ishte pika që shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që përfunduan në konfliktin aktual.
“Izraelitët e dinin shumë mirë se Irani kurrë nuk do të pranonte një kapitullim të tillë – përveçse në rast lufte. Parashikueshëm dhe me paramendim, kjo kërkesë çoi në një ngërç të plotë në bisedimet bërthamore. Ky bllokim e zemëroi thellësisht Trump-in, i cili nuk kishte durim”, shkroi Parsi në platformën X.
Ai vijon se më pas “Izraeli arriti të bindte Trump-in t’u jepte dritën jeshile për të bombarduar Iranin, me arsyetimin se kjo do ta bënte më të butë pozicionin negociator të Teheranit”.
“Siç ishte e pritshme, bombardimi e forcoi qëndrimin e Iranit dhe e detyroi të kundërpërgjigjej me raketa kundër Izraelit. Po ashtu, siç ishte e parashikueshme, brenda 24–48 orëve, izraelitët u kthyen në Uashington dhe kërkuan që SHBA të hynte drejtpërdrejt në luftë për ta përfunduar atë”, tha ai.
Parsi përfundon se “shumë gjëra tregojnë se ky ishte plani izraelit që në fillim”.
“Sikur Trump të mos kishte rënë në kurthin izraelit dhe të mos kishte kërkuar ‘zero pasurim’, sot me shumë gjasë do të kishim një kornizë marrëveshjeje bërthamore”, përfundoi ai.






