Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Floriar Arapi ishte këtë të hënë në “Now me Erla Mëhillin”, në Euronews Albania ku ka analizuar konfliktin e ndodhur mes Izraelit dhe Iranit të cilat tashmë prej katër ditësh po vijojnë me sulmet kundër njëra-tjetrës.
Arapi tha gjithashtu se një arsye se përse Izraeli sulmoi Iranin lidhet edhe me gjyqin e Netanjahut, i cili duke e çuar vëmendjen diku tjetër arrin të konsolidojë pushtetin personal e të shpëtojë nga burgu.
Gjithashtu sipas ekspertit Pakistani është një tjetër shtet mund të bëjë që konfliktet në botë të përshkallëzohen.
“Është një pikë shumë e rëndësishme. Një shtet tjetër mund të ndezë të gjithë botën, Pakistani. Izraeli ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme Pakistanin që në kohën e Margaret Theçer. I ka kërkuar asaj që të ndalojë programin bërthamor të Pakistanit dhe ka suportuar në krahun tjetër, programin bërthamor të Indisë. Izraeli gjithashtu akuzohet nga Pakistani se ka vrarë shkencëtarë nëpërmjet shërbimit sekret dhe duke ngritur një rrjet të madh spiunazhi në Pakistan për të sabotuar këtë program bërthamor të Pakistanit. Sipas Izraelit, Pakistani dhe vende të tjera janë shtete radikale islamike e nuk duhet të kenë armë bërthamore, vetë Izraeli ka armë bërthamore”, tha ai.
I pyetur nëse do të ishte kërcënim që Irani të kishte armë bërthamore, Arapi u përgjigj: “Absolutisht që është kërcënim. Por deri më tani kërcënimi më i madh i rajonit, i stabilitetit, i sigurisë së rajonit është Izraeli. Po kryen gjenocidin më të pashembullt e më të dokumentuar në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Izraeli është duke u kthyer në një kërcënim absolut për rajonin”.









