“Albin Kurti ka vazhduar me politikën e arrestimeve dhe dëbimeve arbitrare të serbëve nga Kosova, dhe shënjestër e politikës së tij hakmarrëse dhe anti-serbe janë serbët që jetojnë në Kosovë, por që janë të punësuar në Policinë e Serbisë”, pretendohet në kumtesën e zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, pasi autoritetet kosovare sot fillimisht arrestuan, e më pas dëbuan Millan Zllatanoviqin nga pika kufitare Dheu i Bardhë.
Në këtë propagandë pretendohet se Millan Zllatanoviq, baba i tre fëmijëve, i cili punon tashmë 20 vjet në polici në Nish, është “viktima e radhës e hakmarrjes dhe arrestimeve të motivuara politikisht nga Prishtina”, për të cilat, siç theksohet, “nuk ekziston asnjë bazë juridike”.
“Kjo zyre ka siguruar ndihmë juridike për të, ashtu si edhe për tre serbët e tjerë që u dëbuan dje nga Kosova, dhe po lufton për të drejtat e tyre nëpërmjet kanaleve diplomatike”, pretendohet në këtë kumtesë.
Shtohet gjithashtu se pesë policëve serbë nuk u është lejuar “të kthehen në shtëpi dhe pranë familjeve të tyre” pas përfundimit të detyrës.
“Me urdhër të zjarrvënësit Kurti, pesë policëve serbë që jetojnë në Anamoravë nuk u është lejuar të hyjnë në Kosovë dhe të kthehen në shtëpitë dhe familjet e tyre”, pretendohet në kumtesë.
Ata në vazhdim të kësaj propagande pretendojnë se “është e paprecedentë që para syve të tërë bashkësisë ndërkombëtare Kurti po zbaton politikën e tij fashiste të përndjekjes së një populli dhe pastrimit etnik të serbëve nga vatrat e tyre, ndërsa mungon reagimi i atyre që duhet të garantojnë një jetë të qetë për serbët”.









