Ushtria izraelite (IDF) publikoi në X një hartë në të cilën Irani është theksuar dhe qarqe koncentrike që përfaqësojnë rrezen e raketave iraniane.
“Irani është një kërcënim global. Izraeli nuk është qëllimi i tij përfundimtar, por vetëm fillimi. Ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të vepronim,” njoftoi ushtria izraelite në X.
Jo shumë kohë më vonë, ushtria izraelite kërkoi falje për hartën e publikuar, duke thënë se ishte një ilustrim dhe jo kufijtë e vërtetë mes shteteve.
“Ky postim është një ilustrim i rajonit. Kjo hartë nuk përshkruan saktësisht kufijtë. Ne kërkojmë falje për çdo ofendim të shkaktuar nga ky imazh,” tha ushtria izraelite në një ndjesë.
Një vështrim në hartë tregon qartë se, për shembull, bregdeti kroat përfundon diku rreth Splitit, ndërsa ushtria izraelite “i dha një pjesë mjaft të madhe të detit Adriatik” Bosnje-Hercegovinës.
Forcat Ajrore të Izraelit kanë alarmuar se shteti i Iranit ka në pronësi raketa me rreze veprimi deri në 4 mijë kilometër, efekti i të cilave do të kapërcente rajonin, përfshirë edhe Kosovën dhe do të arrinte deri në Francë e Gjermani.
Në një video të publikuar në faqen e tyre zyrtare, Forcat Ajrore të Izraelit kanë treguar se deri ku arrin rrezja e veprimit të raketave iraniane dhe potencojnë se lënia e këtyre raketave në duart e regjimit iranian përbën rrezik për të gjithë rajonin dhe të gjithë botën dhe se duke parë një rrezik të tillë, s’kishin rrugëzgjidhje tjetër veçse të vepronin.
“Irani është një kërcënim global. Arsenali raketor i regjimit iranian përfshin raketa me rreze veprimi mijëra kilometrash. Lënia e këtyre raketave në duart e regjimit iranian përbën një rrezik për rajonin dhe të gjithë botën. Nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të vepronim”, thuhet në postimin e Forcave Ajrore të Izraelit
Për kujtesë, Izraeli mbrëmë kreu një sulm ajror në shkallë të gjerë në më shumë se 100 objektiva në Iran, duke përfshirë kompleksin bërthamor Natanz, objektin qendror të pasurimit të uraniumit në Iran.
Sulmi është pjesë e një operacioni ushtarak të quajtur “Operacioni Rising Lion”, i cili, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, synon “neutralizimin e kërcënimit ekzistencial” të paraqitur nga programi bërthamor i Iranit.









