Elon Musk nuk është vetëm, siç përsëritet zakonisht, njeriu më i pasur në botë. Pra i pajisur, vetëm për këtë arsye, me një pushtet shumë të madh të drejtpërdrejtë por edhe të tërthortë. Gjë që do ta bënte atë një aleat vendimtar për politikën, kur duhet fituar një betejë e vështirë dhe e kushtueshme elektorale si ajo për Shtëpinë e Bardhë.
Por edhe një partner shumë të vështirë për t’u menaxhuar pasi arrihet fitorja. Kjo edhe për shkak të një karakteri të cilësuar nga shumica si plot me teprime, egoist, kapriçioz dhe kryesisht të paparashikueshëm.
🔊
Në realitet, duke pasur parasysh sektorët shumë strategjikë në të cilët ai vepron në shkallë globale, shpesh me pozita monopoliste, nëse duam të gjejmë një formulë të aftë për të përshkruar në mënyrë efektive rolin dhe sjelljen e tij, mund të themi se është një aktor politik i pavarur, i pajisur me një formë sovraniteti të ngjashëm me atë të shtetit.
Përveçse një novator i shkëlqyer dhe një sipërmarrës vizionar, ai është një lloj burrështetasi i pavarur, i përkushtuar për të vënë në jetë një vizion të shoqërisë, politikës dhe progresit njerëzor, të mbushur me futurizëm teknologjik dhe një frymë apokaliptike, në të cilën ai e konsideron veten, nëse i marrim seriozisht fjalët dhe mënyrën e të vepruarit në skenën publike, si një profet të zgjedhur nga fati.
Pra Musk nuk është ndikues vetëm në politikë. Ai përfaqëson në vetvete një formë pushteti politiko-institucional, e cila e konsideron veten konkurruese dhe alternative, siç e ka treguar me ndarjen e bujshme me Donald Trump, në krahasim me atë tradicionale demokratike.
Ai mund të bëjë të njëjtat gjëra si presidenti, përveçse legjitimitetin e tij e merr jo nga konsensusi popullor i shprehur përmes votës, por nga vullneti i tij subjektiv për të udhëhequr proceset e transformimit radikal të botës, që janë duke u zhvilluar aktualisht: inteligjenca artificiale, kolonizimi i hapësirës, kalimi në dimensionin post-njerëzor e ndërplanetar të komunikimeve, etj. Këto janë procese që politika tradicionale nuk është në gjendje t’i kuptojë, e lëre më pastaj t’i drejtojë. Për shembull, falë rrjetit të gjerë të satelitëve që kontrollon personalisht, është në gjendje të mbledhë informacion dhe të transmetojë të dhëna në çdo cep të botës, duke ndjekur një politikë të jashtme dhe mbrojtëse, e cila është potencialisht autonome nga ato të shteteve me të cilat ai bashkëpunon ose me të cilat ka nënshkruar marrëveshje partneriteti.
Kujtojmë pak luftën e vazhdueshme në kufirin lindor të Evropës: rezultati i saj përfundimtar mund të varet realisht nga vendimi i Musk për të bllokuar qasjen e Ukrainës në imazhet satelitore të rrjetit Starlink. Aktiv në fushën e kriptomonedhave, për të cilat ai është një mbështetës i zjarrtë edhe për arsye ideologjike (ato janë shprehja e një tregu të decentralizuar të distancuar nga kapaciteti i planifikimit dhe kontrollit të atij shteti, që anarko-libertariani Musk e kundërshton me këmbëngulje), dhe në të cilin ai ka investuar burime të mëdha financiare.
Po ashtu, ai ka sisteme dixhitale pagesash dhe shkëmbimesh monetare që e bëjnë atë edhe një forcë ekonomiko-politike, e cila është në thelb sovrane dhe e distancuar nga kontrolli i pushteteve tradicionale publike.
Me blerjen për miliarda dollarë të rrjetit social Twitter, më vonë i riemëruar X, i krijuar si një platformë dixhitale për publikimin dhe shkëmbimin midis miliona përdoruesve të mesazheve, fotove dhe videove, Musk zotëron një megafon planetar që e lejon atë të ndërhyjë në kohë reale, me një forcë mediatike më të madhe se ajo e një kreu normal qeverie ose shteti, në debatin publik ndërkombëtar, me qëllim orientimin e tij sipas vizionit të tij personal për botën dhe interesave të tij personale.
Ky ndërhyrje, do të dukej si një formë e manifestimit legjitim të simpative të tij politike, të cilat sigurisht nuk mund të parandalohen ose kritikohen vetëm sepse vijnë nga një njeri me burime ekonomike praktikisht të pakufizuara. Në realitet, logjika me të cilën Musk vepron nuk është ajo e një mbështetësi polemik, kundër rrymës dhe kontravers në pozicionet e tij ideologjike ekstremiste ose heterodokse.
Përkundrazi, duket se vepron me logjikën e startup-it dhe të investitorit politik: në kontekste të ndryshme, zgjedh një aktor politik periferik, një parti minoritare ose ekscentrike, e mbështet atë nga pikëpamja propagandistike dhe financiare. Në këtë mënyrë synon nga njëra anë, ta bëjë atë një subjekt hegjemonik në tregun politik të referencës, dhe nga ana tjetër ta fusë atë në rrjetin e tij personal politiko-diplomatik.
Për të gjitha këto arsye, është e qartë se përse u deshën disa javë për të arritur tek një divorc i bujshëm dhe i diskutueshëm midis tij dhe mikut të tij të vjetër dhe aleatit Donald Trump. Por kjo është shumë më tepër sesa një përplasje midis personaliteteve karizmatike të papajtueshme apo një konflikt i shkaktuar nga mosmarrëveshjet mbi zbatimin e programit qeveritar republikan.
Kjo është parë në qëndrimet e tij ndaj fushatave zgjedhore në vende të ndryshme. Në rastin e Gjermanisë, ai i ftoi gjermanët të votonin për Alternativën për Gjermaninë të ekstremit të djathtë. Në rastin e zgjedhjeve rumune, u rreshtua hapur me kandidatin presidencial Calin Georgescu, i përjashtuar nga gara me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Por kjo është parë edhe me mbështetjen e hapur dhe vendimtare, që ai ofroi për rizgjedhjen e Donald Trump. Duket më tepër si fillimi i një përballje, e cila shtrihet përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara, midis pushtetit politik (demokratik) dhe pushtetit ekonomiko-financiar. E kush komandon vërtet në instancën e fundit?
Dhe si mund ta kontrollojë ose frenojë i pari të dytin? Një pyetje e vjetër, por që në ditët tona ka një rëndësi shumë më vendimtare sesa në të kaluarën, duke pasur parasysh dobësimin e demokracisë si formë politike, dhe të politikës si mjet vendimmarrjeje.
Është një pyetje që është ngritur tashmë në Rusi, për shkak të konfliktit midis Putinit dhe oligarkëve që grumbulluan lëndë të para pas shpërbërjes së ekonomisë së centralizuar sovjetike, apo në Kinë me përplasjen midis Partisë Komuniste dhe gjigantëve të tregtisë elektronike dhe teknologjisë së madhe, që u shfaqën nën hijen e kapitalizmit shtetëror.
Në të dyja rastet, pushteti politik ka përdorur dorën e rëndë, shtypjen dhe dhunën fizike për të ushtruar hegjemoninë e tij kundër atyre që kanë guxuar ta sfidojnë hapur. Por që të frenojë pushtetin e tepërt të pushteteve politike indirekte, një shoqëri demokratike mund të ndjekë vetëm rrugën ligjore të rregullimit dhe kontrolleve kushtetuese.
A mjafton kjo përballë fuqive ekonomike globale, të cilat përveçse kanë gjithnjë e më shumë në dorë fatin e miliarda njerëzve, tani aspirojnë hapur një dominim politik gjithnjë e në rritje? Ndërkohë, ekziston edhe një pyetje tjetër që ngrihet nga përplasja e vazhdueshme midis Trump dhe Musk. A është inovacioni teknologjik, flamurmbajtës i të cilit është i shpallur ky i fundit, gjithmonë një sinonim i progresit, zhvillimit dhe lirisë?
Apo mund të jetë edhe një instrument shtypjeje dhe kushtëzimi? Çfarë fshihet saktësisht prapa retorikës libertariane dhe ultra-liberale të Musk, e cila e paraqet teknologjinë si një formë të çlirimit të energjive individuale? Në realitet, ne e dimë nga përvoja historike e sistemeve totalitare, se teknologjia mund të përdoret politikisht edhe si një instrument dominimi mbi individët dhe masat.
A mos duhet të përgatitemi për një skenar, në të cilin jo vetëm shoqëria, por edhe vetë politika, do të përfundojë duke u mbajtur nën kontroll nga teknologjia dhe profetët e saj? Musk ëndërron për një revolucion teknopolitik, të udhëhequr prej tij, me pasoja shqetësuese.
A mund të jetë Trump, që deri dje dukej sikur ishte shoqëruesi i Muks, heroi i pavullnetshëm, por i guximshëm, që do t’i ndalë ambiciet e tij të rrezikshme për të qenë mjeshtër dhe zot i “botës së re”?









