Bujar Bukoshi, Kryeministri “misterioz” me shumë dritë- hije që u harrua pas çlirimit të Kosovës

Ndarja tragjike nga jeta e Bujar Bukoshit, ka sjellë siç ndodh rëndom në mjediset mediatike e politike, një ortek ngushëllimesh dhe statusesh, kinse të dhimshme.

Doktor Bukoshi, një figurë qëndrore e Kosovës përgjatë rezistencës në kohën e pushtimit nga Serbia, përpos kryeministër i Ibrahim Rugovës, e më pas kundërshtar i tij, njëkohësisht mbështetës i Sali Berishës, aktiv në ngjarjet tragjike 1997-1998 dhe më pas perëndimi i tij politik pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Pse Bujar Bukoshi ishte pas çlirimit një faktor politik më i vogël sesa një personazh i Big Brother Kosova?

Pikërisht ky është një mister i madh, që natyrisht me gjithë fjalët e mira që thuhen në ikje, ka edhe pjesët gri të jetës së një personaliteti. Që në fakt duhet të ishte por nuk u bë. Doktor Bujari, njeriu që mund të kthehej në një ikonë, qoftë për aktin e parë madhështor që ai kreu, zbulimin e helmimit të fëmijëve nga uji i kontaminuar prej pushtetit serb.

Bujar Bukoshi, është një nga personazhet e para që tregoi për botën fytyrën e vërtetë të Serbisë ndaj shqiptarëve, atë logjikë gjenocidiale, që e ka praktikuar me një platformë me disa lëvizje të shkruara e spontane.

Në vitin 1991, ndodhi një tragjedi e madhe në Kosovë, kur një numër i madh fëmijësh u sëmurën rëndë, me një ngarkesë toksike shumë të lartë nga uji i pijshëm.

Bujar Bukoshi me një grup kolegësh të tij arritën të zbulojnë se ky helmim ishte një akt diversiv i shërbimeve serbe. Bukoshi arriti me një shkathtësi të admirueshme të “kontrabandonte” epruvetat e marra nga uji i helmuar për t’i bërë analizat në Perëndim. Që u zhvilluan në Gjermani. Analiza që nxorën se kemi të bëjmë me një lëndë të tmerrshme kimike me radioaktivitet të lehtë që degradon shpejt organizmin njerëzor.

Kur Gjermania bëri analizat e helmimit të liderit tashmë të ndjerë të opozitës ruse, Alex Navalnij shumë vite më vonë, arriti në përfundimin se helmi nuk ishte i panjohur; ishte përdorur në Kosovë në vitin 1991. Pikëpyetja është origjina e kësaj lënde lindi në Beograd apo Moskë?

Bujar Bukoshi, ishte njeriu që i dha Perëndimit një fakt të rëndë, se sa i rrezikshëm ishte regjimi i Milosheviçit. Më pas Ibrahim Rugova e bën kryeministër, pasi ishte realisht numri 2 në LDK dhe Sekretari i përgjithshëm i saj.

Bukoshi e zhvendos qeverinë e tij në Gjermani, në vendin ku kishte studiuar doktoraturën. Në vendin që po bëhej fuqia evropiane e shekullit. E cila arriti me dy tre vendime të shkëpusë nga Jugosllavia Kroacinë e Slloveninë, si dhe të marrë më shumë se gjysmën e Bosnjës. Me një influencë të fuqishme në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, e më gjerë.

Këtu nis realisht misteri i Bujar Bukoshit si kryeministër. i cili në vitin 1996 përplaset me Ibrahim Rugovën, duke u bërë radikal dhe më pas aleat me Sali Berishën për të larguar Rugovën.

Ishte koha kur në Tiranë u hap e para bankë private, Banka Dardania, që thuhet se menaxhonte paratë e qeverisë së Kosovës, por si çdo bankë, jo vetëm ato. Madje ka raporte se aty hynë paratë e para të narkotrafikut shqiptar. Ajo ishte e para bankë në një vend që bankat private nuk lejoheshin.

Prej asaj interviste në mediat gjermane, pra në vitin 1996, kur Bukoshi foli për një përplasje të armatosur ndaj Serbisë, aty u prish me Rugovën dhe preu çdo lidhje me Uashingtonin. Por jo me Sali Berishën, të cilin e financoi, dhe ky i fundit e mbështeti për të pasur bazat e të ashququajturit FARK. Versionit ndryshe të UÇK-së, i cili sot shihet më qartë se nuk ishte një variant serb i rezistencës, por një variant i lidhur me Gjermaninë.

Nga e cila erdhën armët që furnizuar FARK. Pikërisht këtu ndërhyri CIA për të ndalur planin gjerman, të cilin e kishte sulmuar që në 1992, kur Berlini përkrahu një variant ekstrem që të hapet fronti i jugut, gjatë kohës së luftës në Kroaci. Pra që të nisë njëkohësisht lufta edhe në Kosovë. Luftë që amerikanët dhe Ibrahim Rugova e kundërshtuan me forcë.

Bukoshi, nuk i përket kësaj faze, por në vitin 1998, ai u bë deri edhe ortaku i Sali Berishës, pikërisht në kohën kur Fatos Nano i prezantoi amerikanëve UÇK-në e Hashim Thaçit, pra majtistët e Zvicrës jo të Gjermanisë.

Aty ndodhi edhe sprova e madhe e Bujar Bukoshit, i cili krijoi profilin e tij në Shqipëri, si një lloj Xhafer Deve i fundshekullit të XX. I cili urdhëroi ushtarët e tij të ndesheshin me shqiptarë të tjerë.

Në 14 shtatorin 1998. Sado që ka shpenzuar, para, energji dhe vip-a mediatikë në Tiranë e Prishtinë që i ka paguar me marka në atë kohë kur nuk kishte vlerë leku shqiptar, Bujar Bukoshi e ka damkën e Devës. Edhe pse nuk ndofta i takon.

Megjithatë fakti është se Doktori që zbuloi gjenocidin e tmerrshëm të helmimit, u harrua pas çlirimit të Kosovës. E harroi partia e tij, LDK, e harroi media e Kosovës. Ai u bë minister i njërës prej “qeverive Thaçi” vetëm si pasojë e një pakti me Ukë Rugovën, i cili bëri një aleancë me Hashim Thaçin kur e arrestuan për trafik të vizave italiane.

Por vetëm kaq, askush, as qarqe politike, akademike, ku me thënë të drejtën Doktor Bujari ishte më lart se shumë njerëz me diploma që s’vlejnë një cent, nuk e pati në fokus këtë emër të rëndësishëm.

Ky është një mister, i cili nuk mund të mbulohet me fjalët e mira pas vdekjes. Bujar Bukoshi, nuk është një emër çfarëdo, që mund të mbulohet me shprehjen e thjeshtë: “ishte i mirë”, “na jepte marka sa i kërkonim”, kërkon një qasje realiste përtej dritë- hijeve sepse ishte kryeministri i parë e Kosovës. Por që është në të vërtetë enigma më e madhe politike e saj…/Pamfleti

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit