Një rast i pazakontë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në Lipjan, ku tre vajza të mitura, të vendosura në një strehimore për rehabilitimin e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, kanë tentuar të arratisen nga objekti.
Sipas burimeve të sigurta më 07.06.2025 rreth orës 22:10, zyrtarët policorë në punë sekondare kanë raportuar një tentim arratisjeje nga strehimorja, duke alarmuar njësitet relevante policore, të cilat kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Të përfshira në këtë incident janë: A.H., 16 vjeçare nga Prishtina, E.S., 15 vjeçare nga Lipjani, V.M., 14 vjeçare nga Prishtina.
Të miturat janë ndaluar para se të realizonin largimin nga objekti dhe janë intervistuar në prani të avokatit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale, në cilësinë e të dyshuarave për veprën penale “Arratisje e personit të privuar nga liria, e mbetur në tentativë“.
Për rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, ndërkohë që është hapur procedurë hetimore. Për momentin, nuk ka të dhëna që ndonjëra nga të miturat të ketë pësuar lëndime ose të jetë ekspozuar ndaj rrezikut të menjëhershëm fizik.






