Miliona myslimanë në mbarë botën po shënojnë sot Ditën e Arafatit, një nga datat më të shenjta të kalendarit islamik.
Kjo ditë, që bie më 9 Dhu al-Hixhxhe, konsiderohet kulmi i pelegrinazhit të Haxhit. Qindra mijëra pelegrinë mblidhen këtë ditë, në Rrafshnaltën e Arafatit, pranë Mekës, ku nga mesdita deri në perëndim të diellit qëndrojnë në lutje dhe kërkojnë falje – një ritual i njohur si Wuquf, që konsiderohet thelbësor për vlefshmërinë e Haxhit.
Në këtë vend besohet se Profeti Muhamed mbajti hutben e tij të fundit, duke theksuar mesazhet e mëshirës, drejtësisë dhe unitetit.
Edhe ata që nuk janë në Haxh, e konsiderojnë Ditën e Arafatit me rëndësi të madhe.
Shumë myslimanë agjërojnë, në ndjekje të praktikës së Profetit Muhamed, i cili i inkurajoi besimtarët ta bëjnë këtë në këtë ditë, duke e parë si një formë pastrimi shpirtëror dhe afrimi me Zotin.
Dita e Arafatit i paraprin Kurban Bajramit, i cili do të fillojë, më 6 qershor. Myslimanët anembanë globit do ta festojnë me faljen e Bajramit, vizita familjare dhe sakrificën rituale të bagëtive, në kujtim të gatishmërisë së Profetit Ibrahim për të sakrifikuar të birin, si akt bindjeje ndaj Zotit.








