Hetimet penale për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore mund të rezultojnë në një test të papritur për Prokurorinë Speciale.
Çështja ndërlidhet me iPhone-n e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.
Peci është intervistuar të martën si i dyshuar për një rast penal të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas urdhëresës, gjatë aksionit parashihej edhe sekuestrimi i telefonit iPhone të ministrit Peci.
Përmbajtja e urdhëresës së gjykatës mund të ketë rënë në veshët e ministrit Peci para nisjes së aksionit.
“Avokati i ka treguar Pecit, pastaj ai ka shkuar në intervistim por pa telefon”, tha një burim brenda hetuesisë, derisa shpjegoi këtë version për ngjarjet e ditës së aksionit lidhur me dhënien me qira të fabrikës për mbetjet shtazore.
Hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës e ka paralajmëruar Pecin se nëse nuk e dorëzon iphone-n e tij, atëherë do të arrestohej.
Peci, pastaj e ka dërguar telefonin iPhone 16 por ka refuzuar t’ua japë atyre kodin për hapjen e tij, ka marrë vesh media nga burime brenda hetuesisë.
Telefoni iPhone 16 nuk mund të hapet, për shkak se autoritetet nuk e posedojnë programin për zhbllokimin e tij.
Prokuroria Speciale, e cila e ka në hetim rastin, e ka dërguar telefonin e ministrit Peci për zhbllokim te Njësia e Forenzikës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta hapë atë.
Iphone i ministrit në detyrë të Bujqësisë, pas dështimit për t’u zhbllokuar, i është kthyer sërish Prokurorisë Speciale.
Taulant Hodaj, avokati mbrojtës i ministrit Faton Peci, i kontaktuar përmes telefonit të hënën ka refuzuar të deklarohet për këtë çështje.
“Nuk kam marrë autorizim nga klienti im që të përgjigjem për këtë rast”, ka thënë Hodaj.
Media e ka pyetur të hënën edhe Prokurorinë Speciale nëse do të ndërmarrë hapa të tjerë në përpjekje për të zhbllokuar telefonin e ministrit Peci, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga organi i akuzës.
Një opsion mbetet dërgimi i telefonit për ekzaminim jashtë vendit.
Edhe Byroja Federale Hetimore (FBI) në ShBA ka hasur shpeshherë në probleme për hapjen e telefonëve iPhone, për shkak të ngurrimit të kompanisë Apple për dëshifrimin e pajisjeve duke përmendur privatësinë e përdoruesve.
Pas një beteje disa mujore me kompaninë teknologjike Apple në vitin 2016, FBI kishte arritur që ta zgjidhte problemin e kodit të telefonit të terroristit i cili kreu sulmin në San Bernardino. FBI e kishte zhbllokuar telefonin e terroristit përmes mekanizmave të saj, për shkak të refuzimit të Apple për të bashkëpunuar me agjencinë.








