Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pranuar një propozim të ri për armëpushim në Gaza, të paraqitur nga i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, sipas raporteve të mediave izraelite.
Netanyahu u ka komunikuar familjeve të pengjeve të mbajtur në Gaza se ai është pajtuar me planin, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt mundësisë për t’i dhënë fund konfliktit të vazhdueshëm.
Megjithatë, Hamasi, i cili më herët konfirmoi se e ka marrë propozimin dhe po e shqyrton atë, ka gjasa ta refuzojë atë, sipas raportimeve nga media izraelite Walla.
Një burim nga Hamasi thuhet se ka shprehur “zhgënjim” me përmbajtjen e propozimit, duke e cilësuar atë si më të anshëm në favor të Izraelit krahasuar me planet e mëparshme të armëpushimit. Këtë pikëpamje e ka mbështetur edhe një zyrtar i lartë izraelit, i cili tha se në Izrael ekziston bindja se Hamasi do të refuzojë propozimin.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur negociatat për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit kanë qenë të ndërlikuara, me tensione të vazhdueshme dhe mosmarrëveshje për kushtet e një marrëveshjeje të mundshme.
Një javë më parë situata ishte në krah komplet të kundërt, ku Hamasi pranoi një propozim të ardhur nga ana e SHBA-së, por plani u refuzua nga Netanyahu.
Plani i propozuar një javë më parë përfshinte:
Armëpushim 70-ditor: Propozimi parashikonte një ndërprerje të luftimeve për 70 ditë, duke krijuar një periudhë qetësie për të mundësuar negociata të mëtejshme dhe zbatimin e marrëveshjes.
Lirimi i pengjeve: Hamasi do të linte të lirë 10 pengje izraelitë të gjallë, të ndarë në dy grupe, gjatë kësaj periudhe. Në këmbim, Izraeli do të linte të lirë qindra të burgosur palestinezë, përfshirë disa të dënuar me dënime të gjata, por jo luftëtarë të Hamasit të përfshirë në sulmin e 7 tetorit 2023.
Tërheqje e pjesshme e Izraelit: Plani përfshinte një tërheqje graduale të forcave izraelite nga disa zona të Rripit të Gazës, me fokus në reduktimin e pranisë ushtarake në zonat e populluara, por duke mbajtur kontrollin në pikat kufitare, si korridori Filadelfi pranë Egjiptit, për arsye sigurie.
Ndihma humanitare: Marrëveshja synonte të lehtësonte hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza për të adresuar krizën e rëndë humanitare, përfshirë furnizime me ushqime, ujë dhe pajisje mjekësore.
Ky propozim u pranua nga Hamasi, sipas burimeve të Reuters, duke hapur rrugën për një fund të mundshëm të konfliktit, por u refuzua nga Izraeli, me qeverinë e Netanyahu-t që e konsideroi të pamjaftueshme për të garantuar sigurinë e Izraelit dhe për të arritur objektivat e saj ushtarakë kundër Hamasit. Hamasi e pa planin si një mundësi për të avancuar negociatat, por Izraeli këmbënguli se presioni ushtarak mbetet strategjia kryesore për lirimin e pengjeve dhe dobësimin e Hamasit.








