Ambasadorja kroate në Kosovë, Daniela Barishiq, gjatë fjalimit përshëndetës, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Kroacisë, ritheksoi përkushtimin e vendit të saj për të mbështetur fuqishëm rrugëtimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
Ajo tha se Kroacia do të vijojë të kontribuojë në misionin e KFOR-it, duke ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë – si parakushte thelbësore për zhvillim dhe mirëqenie në shoqëri dhe në rajon.
“Sot gjithashtu ne festojmë marrëdhënie miqësore mes dy vendeve tona, Republika e Kroacisë dhe Republika e Kosovës, të cilat u treguan përmes bashkëpunimit dypalësh dhe rritjes së tregtisë dypalëshe. Marrëdhëniet tona u konfirmuan shtesë edhe me shkëmbimin e vizitave zyrtare duke përfshirë edhe vizitën zyrtare në Kroaci të kryeministrit Kurti në fund të vitit të kaluar, gjatë së cilës janë nënshkruar gjashtë marrëveshje. Kroacia do të vazhdojë me mbështetje të fortë për aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në Misionin e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe sigurinë si parakushte për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë shoqërisë dhe gjithë rajonit”, deklaroi ambasadorja.
Tutje, Barishiq theksoi se organizimi i kësaj pritjeje është dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore mes dy vendeve, duke përmendur sfidat e kohës moderne, si pasiguria dhe papërshikueshmëria gjeopolitike, të nxitura nga agresioni rus në Ukrainë.
“Është kënaqësia dhe nderi im i madh t’ju mirëpres sonte me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Kroacisë. Jemi mbledhur këtu për të konfirmuar marrëdhëniet miqësore mes Kroacisë dhe Kosovës. Por jam i sigurt se në bisedat tona sonte nuk do të mund t’i shmangim disa çështje që prekin dhe ndikojnë të gjithë ne në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në fakt, pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës më shumë se tre vite më parë, jemi duke përjetuar rrëzimin e rendit ndërkombëtar siç e njihnim më parë. Prandaj, ndoshta fjalët më të përdorura globalisht prej disa kohësh janë pasiguria dhe papërshikueshmëria gjeopolitike. Por pavarësisht të gjithave, kemi portin tonë të qetë dhe spirancën e fortë – Bashkimi Evropian”, tha ajo.
Në vazhdim, ambasadorja kroate u ndal edhe te procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se stabiliteti nuk arrihet me përballje, por përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Së pari – Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian dhe zgjerimi në këtë rajon është projekti më i rëndësishëm gjeopolitik i BE-së. Së dyti – një përparësi kyçe mbetet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë. Stabiliteti varet nga dialogu, jo përballja. Dhe së treti dhe ndoshta më i pritur në Kosovë – BE ka filluar të heqë gradualisht masat ndëshkuese të vendosura në qershor 2023. Më lejoni të shtoj – Kroacia e ka mbështetur këtë prej një kohe të gjatë. Kjo vendimmarrje hap rrugën për më shumë mundësi për zhvillimin e Kosovës dhe lidhje më të ngushta me Evropën”, përfundoi Barishiq.








