Të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca për rastin e kanosjes ndaj ministrit në detyrë, Faton Peci.
Në këtë seancë, Blerim Avdiu, i akuzuar për kanosje ndaj ministrit Peci pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa ka pranuar fajësinë.
“E pranoj fajësinë, unë ministrin nuk e kam parë asnjëherë, as s’kam pas diçka punë. Kam respekt për të, nuk e kam ditë kush është. Kam qenë në shtetin kroat, i dehur, i papunë edhe nuk e di as vetë çka kam shkru, të nesërmen e pash telenonin, e kam thyer dhe kam kërkuar ndihmë nga mjekët kroat”, ka deklaruar Avdiu.
Prokurori i Prokurorisë Themelore, Besart Mustafa i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë dhe ta dënojë të akuzuarin në përputhje me ligjin.
Gjyqtarja e rastit Valbonë Fejza e ka aprovuar pranimin e fajësisë.
Ndërkaq, avokati i të pandehurit, Halim Shala, ka thënë se Avdiu nuk ka të kaluar kriminale.
“Është hera e parë që bie ndesh me ligjin dhe natyrshëm nuk i ka kuptuar pasojat e veprimeve të tij dhe nuk e ka kuptuar as pozitën e personit që ia ka drejtuar kanosjen”, ka thënë Shala.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 28 maj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Avdiut, të cilin e ngarkon se më 2 mars 2025 me rastin e postimit të një fotografie në rrjetin social “Facebook” nga i dëmtuari Faton Peci- si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me aktivitetet e tij si ministër, Avdiu nga profili i tij në “Facebook” me dashje ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, duke i dërguar mesazhe fyese dhe kanosëse.
“Si kryeminel ti q… edhe ata të vdekurit une kam me të vra jo tjetër kush, kryeminel ti gjall e un gjall nuk kemi me jetu jo pot tham qat ditë se te mrri në ks asnjani nuk kena me kan ket jet o bir shkine o bir shkavi ta dish edhe vorrin e nanes, kryeminel mos harro me 28 maj jam në kufi veq me ardh me të vra ty kena me ardh dije mirë”, citohen në aktakuzë fjalët kërcunese të të akuzuarit drejtuar të dëmtuarit Peci.
Me çka, sipas Prokurorisë, i akuzuari Avdiu me këto fjalë ka shkaktuar te i dëmtuari Peci ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.
Andaj, për këto veprime, Avdiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.








