Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpërndarë në rrjetet sociale një video të rreme dhe tani virale, në të cilën ai shfaqet duke goditur me një top golfi këngëtarin e njohur Bruce Springsteen. Videoja, e cila është montim satirik, ka ngjallur reagime të forta në internet, duke nxitur kritika dhe tallje të shumta ndaj Trumpit.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë komentuar me ironi, duke shpërndarë pamje reale të Trumpit në fushat e golfit, ndërsa të tjerë e kanë dënuar postimin, duke thënë se “kjo nuk është ajo që bën një president”.
Situata mori një tjetër përmasë kur ndërhyri edhe Federata Amerikane e Muzikantëve (AFM), e cila publikoi një deklaratë zyrtare për të mbrojtur Bruce Springsteen dhe këngëtaren Taylor Swift, të cilët janë përmendur dhe sulmuar nga Trump në postimet e tij të fundit.
“Artisti ynë Bruce Springsteen përfaqëson vlerat e lirisë dhe dinjitetit artistik. Ne qëndrojmë në mbështetje të tij dhe të Taylor Swift kundër sulmeve politike dhe personale,” thuhej në deklaratën e AFM.










