Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë gjatë vizitës së saj në Serbi, duke theksuar se përparimi i këtij vendi drejt BE-së kërkon angazhim të qartë politik dhe respektim të parimeve demokratike.
“Mesazhi im për autoritetet në Beograd është i qartë. Unë dua ta shoh Serbinë duke avancuar drejt BE-së. Për këtë, liderët politikë duhet të bëjnë reformat e nevojshme dhe të qartësojnë drejtimin strategjik. Kjo bëhet më së miri duke rivendosur besimin dhe duke iu qëndruar besnike parimeve demokratike”, ka shkruar Kallas në platformën X.
Kallas mbërriti mbrëmë në Beograd, ku u prit në aeroport nga ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq.
Më pas zhvilloi një takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, i cili deklaroi se me përfaqësuesen e BE së diskutoi për “tema kyçe gjeopolitike, situatën e sigurisë në rajon, rrugën europiane të Serbisë, si dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Vizita e Kallas në Serbi ndodhi menjëherë pas vizitës së presidentit Vuçiq në Moskë, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin – një takim që ka nxitur reagime në Bruksel dhe kërkesa për qëndrim më të qartë të BE-së ndaj pozicionimit ndërkombëtar të Serbisë.






