Një ngjarje tragjike ka tronditur kryeqytetin amerikan të mërkurën në mbrëmje, kur pranë Muzeut Hebraik Capital në Washington, një burrë dhe një grua – një çift i ri izraelit që po përgatitej të fejohej – u qëlluan për vdekje. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet amerikane dhe ato izraelite.
Sulmuesi është identifikuar si Elias Rodriguez, 30-vjeçar nga Çikago. Gjatë arrestimit nga policia, ai ka brohoritur “Liri për Palestinën” dhe ka shpalosur një qefije të kuqe, çka ka shtuar dyshimet për një motiv ideologjik pas sulmit.
Policia po vijon hetimet, ndërsa ngjarja ka ngjallur reagime të shumta për rrezikun në rritje të dhunës me prapavijë politike apo ideologjike në SHBA. Ndërkohë, komuniteti hebraik në Washington është shprehur i tronditur dhe në ankth për sigurinë, veçanërisht në dritën e ngjarjeve të fundit.






