Kuota gjinore për përfaqësimin e grave në kuvend, i ka dhënë përparësi Eliza Hoxhës dhe Kosovare Muselit, dy kandidateve të PDK-së për deputete, që të zënë pozitat e fundit që të çojnë në kuvend nga kjo listë.
PDK-ja, aktualisht i ka 26 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, bazuar në numërimin e afër 95% të votave për subjektet politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kësisoj, Petrit Hajdari dhe Arben Mustafa, të cilën bazuar në numërimin e votave preliminare ndodhen në pozitat 24 dhe 26, do të duhet t’ua lirojnë vendet e tyre dy kandidateve gra.
Aktualisht më i votuari në listën e Partisë Demokratike të Kosovës rezulton të jetë kandidati për kryeministër, numri një i listës, Bedri Hamza me 157,219 vota.
Pas tij, renditen kryetari i partisë, Memli Krasniqi me 89,185 vota dhe nënkryetari Uran Ismaili me 39,177 vota.
Dhjetëshen e parë e plotësojnë: Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxha, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Jakup Nura dhe Rrahman Rama.
Pas tyre, nga vendi i dhjetë deri në vendin e 20-të janë: Nait Hasani, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Artan Behrami, Ferat Shala, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Blerta Deliu-Kodra, Xhevahir Geci dhe Abelard Tahiri.
Deputetë në legjislaturën e ardhshme do të jenë edhe Rashit Qalaj, Ariana Musliu-Shoshi dhe Bekim Haxhiu.
Edhe tre kandidatë të tjerë të PDK-së pritet të bëhen deputetë, nga vendi i 23-të deri në vendin e 26-të.
Në vendin e 24-të është Arben Mustafa me 16,293 vota. Një vend më poshtë ndodhet Arbnore Salihu me 15,542 vota, e pasuar nga Petrit Hajdari me 15,528 vota.
Megjithatë, për shkak të kuotës gjinore, as Arben Mustafa, e as Petrit Hajdari nuk do të kenë ulëse në legjislaturën e ardhshme.
Për të plotësuar kuotën gjinore, kandidatet për deputete, Eliza Hoxha dhe Kosovare Museli pritet t’i zënë pozitat 25-të dhe 26-të.











