Në kuadër të Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), presidentja, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet e saj duke e cilësuar këtë ditë si një kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar të ushtarëve të UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se kjo ditë është një nderim për burrat dhe gratë që luftuan për lirinë e Kosovës dhe që flijuan gjithçka për atdheun.
“Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar.
Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut.
30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së”, ka shkruar Osmani në Facebook.






