Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se në fillim të takimit trelateral, emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Bislimi tha se Lajçaku tregoi se BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në hetimin e plotë të këtij rasti, teksa tha se në takimin bilateral me të, janë trajtuar edhe tema të tjera, si ajo për IBM-in por edhe mundësia e hapjes së pikave kufitare në Izvor dhe Kapi.
“Në takimin bilateral kemi trajtuar tema të ndryshme të rëndësishme, ku te IBM-i kemi diskutuar për mundësinë e riaktivizimit të grupit të përbashkët për implementim, në mënyrë që të trajtohen temat me rëndësi, si ajo e aktivizimit të pikave kufitare në Izovr dhe Kapi, mundësia e hapjes së pikave kufitare sezonale në Mohovc, Breznicë dhe Dobrosin”.
“Pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24 orëshe të inspektorëve fito-sanitarë te Dheu i Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin e 13 certifikatave fito-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku i kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos mosaktivizimin e linjave të interkoneksionit, po ashtu edhe sabotimin që Serbia po ia bën marrëveshjeve të Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale”, tha Bislimi.








