Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka dalë në konferencë para pak minutash, ky ka dhënë detaje shtesë pas sulmit terrorist dy ditë më parë në veri.
Kurti ka thënë se qëllimi i këtij sulmi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës ruse ndaj Ukrainës, me ç’rast këto sulme ishin të orkestruara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike, të minimumit të ekzistimit dhe të dëmtohet jeta e siguria e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, kemi sulme në objektin e Komunës së Zveçanit, e në të njëjtën kohë edhe në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka akuzuar Serbinë se po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.
“Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar Kosovën dhe rajonin tonë në përgjithësi, me gjithë këto, edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështojë pasi Kosova mbështetet në vlerat demokratike perëndimore që na kanë forcuar neve së brendshmi dhe e kanë forcuar partneritetin tonë së jashtmi me aleatët rajonalë, strategjikë, evropian e amerikane. Ky bashkëpunim dhe përkushtim I Kosovës ndaj sigurisë, paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm do të triumfojë ndaj çdo përpjekje për destabilizim.
Sipas Kurtit, Kosova është një shembull për rajonin për mënyrën se si i trajton komunitetet pakicë dhe jo shumicë dhe institucionet e saj demokratike.
“Liria dhe demokracia që mbizotërojnë, dëshmojnë përkushtimin tonë ndaj barazisë”, u shpreh ai.








