Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pasi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaruan se Qeveria ia ka bllokuar xhirollogarinë bankare Komunës së Suharekës.
Murati e ka quajtuar këtë dezinformatë, duke shtuar se Qeveria nuk bllokon llogari të komunave.
“Llogaritë bllokohen nga përmbaruesit dhe vendimet e prera gjyqësore”, ka shkruar Murati.
Edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, deklaroi se më 28.10.2024 është njoftuar nga institucionet e nivelit qendror se u është bllokuar qasja në xhirollogaritë e Komunës.
Ai ka thënë se ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive.
“Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive. Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng e një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna”- ka thënë ai.









