Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e Ditës së Forcës, duke rikujtuar momentin historik të transformimit të saj në ushtri.
Çitaku, së bashku me deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, ka kujtuar 14 dhjetorin e vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës votoi për mandatin e ri të Forcës.
Ajo ka theksuar se në atë periudhë, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rrahman Rama kishte rol vendimtar në përgatitjen dhe udhëheqjen e saj gjatë viteve të para të transformimit.
“Në atë moment historik, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rama, si komandant i saj, luajti rol vendimtar në përgatitjen e FSK-së për mandatin e ri dhe e udhëhoqi Forcën në vitet e para të transformimit”, ka deklaruar Çitaku.
Në prag të 28 Nëntorit, ajo ka kujtuar edhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar kontributin e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
Çitaku ka falënderuar pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës për përkushtimin dhe shërbimin ndaj Republikës.
“Urime Ditën e Forcës, Kosovë!”, ka përfunduar ajo.









