Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka deklaruar se reagimet e Beogradit ndaj Rezolutës për Vukovarin nuk japin shpresë se Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj ngjarjeve të luftërave të viteve ’90.
Picula ka vlerësuar se kundërshtimet ndaj rezolutës, të shprehura nga një grup studentor në Serbi, janë domethënëse, pasi pasqyrojnë qëndrimet e krahut politik që fitoi zgjedhjet dhe tashmë po formon qeverinë e re.
Studentët kundërshtues kanë pretenduar se teksti i rezolutës nuk i merr parasysh vuajtjet e popullit serb.
Sipas Piculës, reagimet nga Beogradi nuk dallojnë nga interpretimet që Serbia ka dhënë prej vitesh për luftërat e viteve ’90.
“Ajo që kemi dëgjuar lë pak shpresë se së shpejti do të ketë një ndryshim në mënyrën se si interpretohen ngjarjet që ndodhën në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se mbetet të shihet nëse qeveria e re serbe do të ketë kapacitetin të shkëputet nga një politikë, rrënjët e së cilës datojnë që nga vitet ’80.
Duke folur për përmbajtjen e rezolutës, Picula ka theksuar se ajo përcjell një mesazh të qartë kundër politikave agresive dhe autoritare, të cilat përmes projekteve për krijimin e “shteteve të mëdha” rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin.
Ai ka vlerësuar edhe përfshirjen e Ukrainës në tekstin e rezolutës, duke theksuar se mund të krijohen paralele mes popujve që mbrojnë vendin e tyre nga agresioni dhe pushtimi.
“Është e rëndësishme që këto politika të identifikohen me kohë”, ka përfunduar Picula.









