Një aksident tragjik i ka marrë jetën prezantueses së njohur televizive nga Azerbajxhani, Ada Suleyman, vetëm pak orë pasi kishte festuar 31-vjetorin e lindjes.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 23 nëntorit, në kryeqytetin Baku. Në aksident humbi jetën edhe miku i saj, Anar Karimov, i cili ndodhej në timonin e automjetit.
Sipas agjencisë së lajmeve Report.az, në përplasjen rrugore u përfshinë një automjet dhe një kamion. Pas marrjes së njoftimit, ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, ku konstatuan se dy personat kishin mbetur të bllokuar brenda makinës së deformuar nga përplasja.
Me ndihmën e pajisjeve speciale, u nxorën trupat e pajetë të drejtuesit të automjetit, Anar Karimov, dhe pasagjeres Ada Suleymanova.
Ada Suleyman ishte një prezantuese e njohur në Azerbajxhan, e cila kishte punuar në televizionin ARB TV. Ajo u bë e njohur për publikun përmes emisionit “Sən olsaydın”, të cilin e drejtoi për një periudhë të gjatë.
Pas largimit nga televizioni, 31-vjeçarja po përgatitej të niste një projekt të ri në YouTube, në formatin podcast, ku kishte planifikuar të ftonte personazhe të njohur. Ajo ishte gjithashtu aktive në rrjetet sociale, ku ndiqej nga më shumë se 40 mijë persona në Instagram.
Vdekja e saj erdhi në një moment veçanërisht të dhimbshëm, pasi vetëm pak orë para aksidentit kishte festuar ditëlindjen në një restorant në Baku. Ajo po kthehej në shtëpi kur ndodhi përplasja fatale.
Për çështjen janë caktuar ekspertiza përkatëse, ndërsa institucionet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit.









