Përfshirja e shteteve për t’i mbështetur shtetasit apo ish-zyrtarët e tyre gjatë proceseve penale ndërkombëtare konsiderohet praktikë e njohur, mirëpo ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare bëjnë një vijë të qartë ndarëse mes ndihmës juridike dhe përpjekjeve për ndikim politik në gjykim.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, William Schabas, vlerëson se institucionet e Kosovës mund të ofrojnë kontribut financiar për të garantuar mbrojtje cilësore juridike, por tërheq vërejtjen se përfshirja përmes lobimit apo fushatave nuk është e pranueshme.
“Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të kontribuojë financiarisht për t’i ndihmuar të pandehurit të angazhojnë ekipet e tyre juridike, kjo nuk do të ishte e pazakontë. Por, nëse synon forma të tjera përfshirjeje, si fushata apo lobim, nuk mendoj se kjo do të ishte e pranueshme”, ka deklaruar Schabas për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Mbështetja financiare u shërben ekipeve mbrojtëse për të angazhuar ekspertë, për të analizuar provat dhe për të përgatitur argumentet për apel, por në asnjë rrethanë nuk i jep të drejtë shtetit të diktojë strategjinë e mbrojtjes apo të tentojë të ndikojë tek gjyqtarët.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Carsten Stahn, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin Leiden të Holandës. Sipas tij, praktika e gjykimeve të mëparshme ndërkombëtare ka dëshmuar se ndikimi i shteteve në epilogun e proceseve gjyqësore është tejet i kufizuar, pasi në gjykatë peshojnë vetëm argumentet ligjore.
“Sepse, ose keni argumente të forta juridike që mbrojtja mund t’i paraqesë para gjykatës, ose nuk i keni. Dhe nëse nuk i keni, fakti që një shtet ju mbështet, nuk do të thotë se gjykata do ta ndryshojë domosdoshmërisht arsyetimin apo qëndrimin e saj juridik”, thekson Stahn për Exposenë.
Ai shton se ruajtja e pavarësisë së avokatëve në përfaqësimin e klientëve të tyre është jetike dhe se shteti nuk guxon të ndërhyjë në ndërtimin e linjës së mbrojtjes.
“Shteti nuk mund të ushtrojë trysni politike mbi mbrojtjen, duke i diktuar asaj se si t’i ndërtojë argumentet juridike. Sepse, detyrimi i avokatëve është ndaj klientëve të tyre dhe kjo nuk mund të ndikohet nga shteti”, përfundon ai.









