Përdorimi i tepërt i telefonit celular nga prindërit, veçanërisht jashtë orarit të punës, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e të folurit te fëmijët parashkollorë. Kështu thuhet në një studim të realizuar nga studiues portugezë, të cilët kanë analizuar ndikimin e zakoneve digjitale të familjes në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve.
Në studim morën pjesë 93 familje me fëmijë të moshës 3 deri në 5 vjeç. Sipas rezultateve, shpërqendrimi i prindërve nga telefoni, përdorimi i tabletëve nga fëmijët gjatë natës dhe disa modele të marrëdhënieve prind-fëmijë u shoqëruan me zhvillim më të ngadaltë të aftësive gjuhësore.
Studiuesit theksojnë se kur prindërit kalojnë shumë kohë të përqendruar në telefonat e tyre, zvogëlohen mundësitë për komunikim të drejtpërdrejtë me fëmijët. Kjo mund të ndikojë në kohën që u kushtohet lojërave, bisedave dhe aktiviteteve të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës.
Ekspertët nënvizojnë se komunikimi i përditshëm është thelbësor për zhvillimin e fëmijëve. Bisedat, këngët, lojërat dhe tregimi i përrallave i ndihmojnë ata të mësojnë tinguj të rinj, të pasurojnë fjalorin dhe të përmirësojnë aftësitë e komunikimit.
Për këtë arsye, prindërve u rekomandohet të kufizojnë përdorimin e telefonave gjatë kohës që kalojnë me fëmijët dhe të krijojnë më shumë mundësi për ndërveprim të drejtpërdrejtë, duke i nxitur të vegjlit të flasin, të shprehin mendimet dhe të marrin pjesë në biseda.









