Vrasja e trefishtë në Gllogjan, gjykata arsyeton lirimin e të akuzuarve: Asnjë dëshmitar nuk e identifikoi autorin

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj tre të akuzuarve, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, lidhur me akuzën për vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit. Ndërkaq, për armëmbajtje pa leje, Halil Mehmetaj u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Kreshnik Mehmetaj me 1 vit burgim.

Të tre, babai Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kastriot e Kreshnik, akuzoheshin se më 26 nëntor 2021, të motivuar nga hakmarrja, kishin shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku mbetën të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë dhe shoferi i autobusit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vlerësimi i gjykatës lidhur me ekspertizat e balistikës

Sipas aktgjykimit të datës 23 tetor 2026, pas vlerësimit të raporteve balistike të përpiluara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Instituti i Forenzikës në Cyrih dhe Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë, si dhe deklarimeve të ekspertëve Lutfi Rraci, Martin Lory dhe Nikolin Duraj, Gjykata Themelore në Pejë gjeti se ndërmjet këtyre ekspertizave ekzistonte përputhshmëri.

Ndërsa, sipas gjykatës, mospajtimi i vetëm kishte të bënte me faktin nëse fisheku i pashkrepur ishte nga e njëjta armë me tri gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas Rracit dhe Lory-t, nuk ishte arritur të konstatohej se fisheku vinte nga e njëjta armë, ndërsa eksperti Duraj kishte konstatuar se gjurmët e imëta përputheshin me ato të së njëjtës armë.

Për këtë mospërputhje, gjykata u dha besim ekspertëve Rraci dhe Lory.

“Gjykata duke vlerësuar se cilat janë argumente me bindes, u jep peshë me të madhe provuese konstatimeve të ekspertëve Lutfi Rraci dhe Martin Lory, pasi që ato evidentojnë dhe arsyetojnë pamjaftueshmërinë e karakteristikave individuale për një identifikim të sigurt. Ndërsa përfundimit të ekspertit Nikolin Duraj gjykata nuk i jep peshë vendimtare, për shkak se arsyetimi i tij nuk i ka mënjanuar në mënyrë bindëse pasiguritë e identifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendimin e Themelores.

Vendimi lidhur me pjesën liruese

Sipas aktgjykimit të datës 23 tetor 2026, Gjykata Themelore në Pejë ka gjetur se është vërtetuar pa asnjë mëdyshje se autobusi “Erblini” ishte sulmuar më 26 nëntor 2021 dhe se gjatë atij sulmi kishin mbetur të vrarë shoferi i autobusit, G.Gj., dhe pasagjerët L.H. dhe G.M. Po ashtu, është vërtetuar se lëndime të rënda trupore kishte pësuar edhe i dëmtuari F.T., pasagjer në autobus.

Mirëpo, sipas vendimit, gjykata konstatoi se nuk ishte vërtetuar fakti qendror i kësaj çështjeje penale, përkatësisht se Kastriot Mehmetaj kishte qëlluar me armë në drejtim të autobusit “Erblini”. Gjithashtu, nuk ishte vërtetuar se Kreshnik Mehmetaj e kishte marrë me veturë Kastriot Mehmetajn.

Sipas aktgjykimit, asnjëri nga dëshmitarët që kishin qenë pasagjerë në ditën kritike nuk kishte arritur ta identifikonte personin që kishte qëlluar. Po ashtu, gjykata gjeti se asnjëri nga dëshmitarët okularë nuk kishte deklaruar se kryesi i sulmit ishte futur në ndonjë veturë pas kryerjes së sulmit.

Sa i përket të akuzuarit Halil Mehmetaj, gjykata konstatoi se në kohën e sulmit ai kishte qenë në një lokal me një numër të madh bashkëfshatarësh. Sipas gjykatës, ky fakt ishte konfirmuar që në fazat e hershme të hetimeve.

Ndërkaq, vendndodhja e të akuzuarve Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj në kohën e sulmit, sipas aktgjykimit, u vlerësua duke u mbështetur në deklarimin e dëshmitarit Behar Hajdari dhe në vlerësimin e vetë gjykatës.

Hajdari kishte deklaruar se të akuzuarit Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj kishin qenë në shtëpi një orë para sulmit, pasi në atë kohë ai ishte takuar me ta në shtëpinë e tyre për të blerë disa pjesë të traktorit.

Mirëpo, sipas gjykatës, nuk kishte asnjë provë mbështetëse apo dëshmitar që i kishte parë të akuzuarit duke shkuar në vendin e ngjarjes. Megjithatë, sipas aktgjykimit, objektivisht ata kishin mundur që, brenda 48 minutave për të cilat nuk kishte prova për vendndodhjen e tyre, të shkonin në vendin e ngjarjes.

“Pra në lidhje me faktin se a kanë qenë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik në shtëpi në kohen kur është sulmuar autobusi, apo kanë dalë dhe kanë qenë këta qe e kanë sulmuar autobusin, gjykata ka mundur ta nxjerr vetëm teorinë e larte përshkruar, një teori objektive e gjasave, për të cilën nuk ka prova mbështetëse”, thuhet në aktgjykimin lirues.

Tutje, aktgjykimi trajton edhe pretendimin se të akuzuarit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, pas sulmit, kishin komunikuar përmes telefonit, duke zhvilluar një bisedë prej 15 sekondash dhe duke shkëmbyer mesazhe SMS.

Mirëpo, sipas ekspertizës së telefonave, mesazhet SMS ishin fshirë dhe kishte qenë e pamundur të riktheheshin.

Gjykata vlerësoi se, meqë nuk mund të dihej përmbajtja e telefonatës 15-sekondëshe dhe nuk kishte prova të tjera që e rrëzonin alibinë e të akuzuarve Mehmetaj se gjatë telefonatës kishin folur për “ujin për pastrimin e makinës për mjeljen e lopëve”, ky pretendim nuk mund të përdorej si fakt inkriminues.

Në vazhdim të aktgjykimit trajtohet edhe motivi i pretenduar i hakmarrjes së të akuzuarve Mehmetaj për vajzën dhe motrën e tyre, e cila kishte kryer vetëvrasje pas përfundimit të një lidhjeje dashurie me të ndjerin, shoferin G.Gj.

Sipas gjykatës, nuk kishte asnjë provë ose indikacion të qartë se vetëvrasja e të ndjerës H.M. ishte kryer për shkak të përfundimit të lidhjes me të ndjerin G.Gj. Gjykata theksoi se e ndjera, para aktit, kishte lënë një letër për familjen, në të cilën shkruante se askush nuk ishte fajtor dhe se nuk duhej kërkuar fajtor.

Andaj, gjykata erdhi në përfundimin se nuk ishte vërtetuar që i akuzuari Kreshnik Mehmetaj kishte drejtuar automjetin në natën kritike apo që e kishte marrë me vete Kastriot Mehmetajn.

“Prandaj, gjykata erdhi ne përfundim se këto rrethana, edhe kur vlerësohen se bashku, nuk e vërtetojnë me siguri se i pandehuri Kreshnik ka drejtuar veturën Toyota natën kritike ne fshatin Gllogjan apo se e ka marrë të pandehurin Kastriot pas kryerjes se veprës penale”, thuhet në aktgjykim.

Sa i përket të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, gjykata erdhi në përfundimin se rrethanat që mund të tregonin për motivin e hakmarrjes mund të ishin të mundshme, por nuk e vërtetonin se ai kishte sulmuar autobusin. Po ashtu, sipas gjykatës, nuk ishte gjetur ndonjë përputhje e ADN-së ndërmjet të akuzuarve Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj dhe gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.

“Ndërsa, sa i përket te pandehurit Kastriot Mehmetaj, gjykata gjenë se fakti se i njëjti mund të ketë qenë në dijeni për raportin ndërmjet motrës së tij Heroina Mehmetaj dhe të ndjerit Gani Gjokaj, si dhe fakti se pas vdekjes së motrës i ka pyetur shoqet e saj për rrethanat e kësaj vdekjeje, mund të paraqesin rrethana të cilat tregojnë për një motiv të mundshëm, mirëpo nuk e vërtetojnë se i pandehuri Kastriot ka qenë personi qe e ka sulmuar autobusin”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu, lidhur me pretendimin se Halil Mehmetaj kishte motiv hakmarrjeje për shkak të vendosjes së orës në arkivolin e vajzës së tij dhe se kishte shtyrë të akuzuarit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj në kryerjen e veprës penale, Themelorja në Pejë gjeti se asnjë rrethanë dhe asnjë provë nuk krijonte një zinxhir të fortë provues që do ta vërtetonte dyshimin e bazuar.

Sa i përket pikës së aktakuzës për të cilën Kastriot Mehmetaj u lirua nga vepra penale e mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, gjykata vlerësoi se me asnjërën nga provat e administruara nuk ishte arritur të vërtetohej se ai kishte pasur dijeni për ekzistencën e armëve në shtëpinë e familjes së tij.

Ndryshe, lidhur me armët e gjetura dhe të sekuestruara në shtëpinë e të pandehurve, gjatë shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri Halil Mehmetaj e kishte pranuar fajësinë, ndërsa Kreshnik Mehmetaj ishte deklaruar i pafajshëm.

Vendimi lidhur me pjesën dënuese

Sipas aktgjykimit, Halil Mehmetaj u shpall fajtor për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas gjykatës, u vërtetua se tek ai ishin gjetur dhe sekuestruar 154 fishekë të armës AK-47 të tipit kallashnikov, një karikator i shkurtër i armës AK-47, gjashtë fishekë të armës së gjuetisë dhe gjashtë pajisje ushtarake.

Po ashtu, për të njëjtën vepër u dënua edhe Kreshnik Mehmetaj, pasi tek ai ishin gjetur dy fishekë të armës AK-47 të tipit kallashnikov.

Gjykata konstatoi se për të gjitha këto armë dhe municion nuk kishte leje nga organet kompetente.

“Në lidhje me këto armë fillimisht i pandehuri Halil gjatë fazës së hetimeve nuk dha shpjegime të plota duke thënë se ka mundësi qe kanë mbetur nga koha e luftës, por me vonë gjatë procesit dhe në shqyrtim gjyqësor e pranoj fajësinë për të gjitha armët e gjetura në shtëpinë e tij”, thuhet në aktgjykim.

Ndërkaq, për fishekët e gjetur tek i akuzuari Kreshnik Mehmetaj, gjykata gjeti se ata ishin në hapësirat që ndodheshin nën kontrollin e tij.

“Andaj mbi bazën e këtyre rrethanave gjykata erdhi në përfundim se te pandehurit Halil dhe Kreshnik Mehmetaj e kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykim.

Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim të shqiptuar ndaj Halil Mehmetajt, prej 3 vjetësh, dhe Kreshnik Mehmetajt, prej 1 viti, do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjykata gjithashtu vendosi që të konfiskojë të gjitha armët e gjetura tek të akuzuarit Halil dhe Kreshnik Mehmetaj, në pajtim me dispozitat ligjore.

Të dëmtuarit B.H., F.M., G.Q., F.T., B.H., A.B., A.Z., B.M. dhe E.O. u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Aktgjykimi lirues u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska.

Më 21 qershor 2023, në seancën fillestare, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj ngarkoheshin se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt dhe në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, kishin privuar nga jeta tre persona, dy prej të cilëve ishin fëmijë. Të vrarë mbetën shoferi i autobusit G.Gj. dhe nxënësit L.H. (17 vjeç) dhe G.M. (17 vjeçe).

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit