Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë lejuar që një familjar i një viktime të vazhdojë pjesëmarrjen në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi është marrë më 6 nëntor 2026 nga Paneli Gjyqësor II, pas kërkesës së avokatit të viktimave, Simon Laws, i cili kishte njoftuar Gjykatën për vdekjen e një personi të pranuar si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces.
Viktima, e identifikuar në dokumentet gjyqësore me kodin V260/06, ishte pranuar në këtë proces më 15 shkurt 2023. Pas vdekjes së tij, më 2 tetor 2026, avokati i viktimave kishte kërkuar që një familjar i tij të lejohej të merrte përsipër vazhdimin e pjesëmarrjes në procedurë.
Për të mbështetur kërkesën, në Gjykatë ishte dorëzuar certifikata e vdekjes, si dhe dokumentacioni që dëshmonte lidhjen familjare mes viktimës dhe personit që kërkonte të vazhdonte pjesëmarrjen.
Paneli Gjyqësor konstatoi se ishin plotësuar kushtet për aprovimin e kërkesës, pasi ishte dëshmuar si vdekja e viktimës, ashtu edhe lidhja e afërt familjare me personin që do ta vazhdojë pjesëmarrjen.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata sqaroi se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk e rregullojnë shprehimisht vazhdimin e pjesëmarrjes së viktimave pas vdekjes së tyre. Megjithatë, sipas Panelit, të drejtat pjesëmarrëse mund të shtrihen edhe te trashëgimtarët, në mënyrë që të garantohet efektiviteti i së drejtës së viktimave për njohjen e dëmit të pësuar.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që familjari të përfitojë masa mbrojtëse. Identiteti dhe të dhënat e tij personale nuk do t’u zbulohen palëve në proces dhe publikut.
Në dokumentet dhe procedurat gjyqësore, ai do të identifikohet me pseudonimin V260A/06.
Me këtë vendim, Paneli Gjyqësor II ka aprovuar kërkesën e avokatit të viktimave dhe ka lejuar që familjari të vazhdojë pjesëmarrjen në proces në emër të viktimës së ndjerë.









