Shkruan: Ismet Haziri
Në Bruksel, në zemër të Evropës së civilizuar, u lejua të dëgjohet një këngë nacionaliste serbe që pretendon tokën dhe trashëgiminë e Kosovës. Në mes të atyre që flasin për vlera e demokraci, u lejua gjuha e urrejtjes ndaj nesh. Askush nuk e ndaloi.
Në Hagë, gjykimi i dytë i presidentit Thaçi nuk është drejtësi, është seancë politike. Si mbledhje e Komitetit Qendror të BRSS-së nën udhëheqjen e Stalinit, ku vendimi merret para se të flasë i akuzuari.
Ky gjykim po bëhet vetëm pse ne jemi shqiptarë.
Dhe kjo nuk është hera e parë. Trojet shqiptare janë ndarë sa herë që Evropa ka vizatuar harta. Sa herë që të tjerët kanë vendosur për ne, ne kemi humbur tokë dhe të drejtë.
Por si është e mundur të dënohen prijësit e një rezistence çlirimtare?
Si është e mundur që një popull që ka mbrojtur pragun e shtëpisë me mjete të ftohta, me një sopatë, me një mjet tjetër mbrojtës, të akuzohet se ka bërë ndërmarrje kriminale e të organizuar?
Ku janë ato kapacitete? Ku është ajo shtetësi, ajo ushtri, ajo logjistikë, ato struktura që i duhen një ndërmarrje kriminale të organizuar? Ne nuk kishim as bukë për vete, e jo më kapacitete për krime të organizuara.
Ne kishim vetëm pushkën e shtëpisë dhe vendosmërinë për të mos u zhdukur nga toka jonë.
Në Bruksel na fyejnë me këngë, në Hagë na gjykojnë me gjyqe politike. Por e vërteta është e thjeshtë: ky nuk ishte krim, kjo ishte mbrojtje. Kjo ishte rezistencë për mbijetesë.
Dhe një popull që mbron shtëpinë e vet nuk dënohet. Ai nderohet.
Kosova nuk kërkon mëshirë, kërkon drejtësi!









