Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mërgatën shqiptare dhe Komunën e Rahovecit, pasi tre persona humbën jetën të dielën pasdite në Gjermani, mes tyre edhe dy të rinj nga Kosova. Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg, ku në një përplasje zinxhirorë u përfshinë gjithsej nëntë automjete.
Dy viktimat shqiptare janë identifikuar si Leart Morina nga fshati Sopniq dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit. Lajmin e hidhur për ndarjen e tyre nga jeta e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve Morina dhe Zeka.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy drejtuesit e mjeteve, të moshës 18 dhe 19 vjeç, kanë ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ka vdekur disa orë më vonë në spital, duke mos u mbijetuar plagëve të rënda. Po ashtu, nga ky aksident mbetën të lënduar edhe tre persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçare e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Si ndodhi aksidenti tragjik?
Bazuar në hetimet paraprake të autoriteteve gjermane, dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar ka humbur kontrollin mbi automjetin gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi të lartë. Fillimisht, vetura e tij është përplasur me disa automjete të tjera, për t’u goditur më pas ballë për ballë me një makinë që po lëvizte nga drejtimi i kundërt.
Përplasja ka qenë aq e fuqishme saqë automjetet janë shndërruar në grumbull hekurishtesh. Në vendngjarje kanë ndërhyrë njësite të shumta të policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës, ndërsa rruga B311 ka mbetur e bllokuar për qarkullim për më shumë se 20 orë. Policia gjermane po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie.









