Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës A. Z., ku janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish në ushtrimin e përgjegjësive institucionale.
Sipas raportit, janë konstatuar vonesa në dorëzimin e raportit në Gjykatë, neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare, mungesë e monitorimit të rastit, moszbatim i procedurave standarde të menaxhimit të rasteve, si dhe mungesë e mbikëqyrjes profesionale.
Ndër shkeljet kryesore të evidentuara janë dorëzimi i raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, mungesa e menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të 5 tetorit 2026, si dhe mosrealizimi i monitorimit të kërkuar sipas përgjegjësive ligjore të QPS-së.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës inicimin e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.
Raporti kërkon gjithashtu rritjen urgjente të numrit të profesionistëve të licencuar në QPS-në e Pejës, ndarjen e qartë të përgjegjësive institucionale dhe zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, me qëllim të garantimit të pavarësisë profesionale të Qendrës për Punë Sociale.
Po ashtu, rekomandohet mbikëqyrje e vazhdueshme e fëmijës së vendosur në strehimore, koordinim më i mirë ndërinstitucional, zbatim i plotë i formularëve standardë dhe trajnime shtesë për stafin, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Ministria i ka kërkuar Komunës së Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe të raportojë zyrtarisht për veprimet e ndërmarra. Ndërkohë, ka bërë të ditur se do të monitorojë nga afër zbatimin e tyre.
Qëllimi i këtyre masave është rritja e përgjegjësisë institucionale, forcimi i shërbimeve sociale dhe parandalimi i mangësive të tilla në trajtimin e rasteve që kërkojnë mbrojtje dhe kujdes të veçantë.









