oreografi dhe balerini me origjinë shqiptare, Leander Veizi, është gjetur i vdekur të hënën në apartamentin e tij në Regensburg të Gjermanisë, në moshën 37-vjeçare. Ai ishte drejtor i përkohshëm i Kompanisë së Vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut, ku kishte ndërtuar një karrierë të rëndësishme artistike.
Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga Teatri Shtetëror i Regensburgut, ndërsa sipas Policisë gjermane, në vendin e ngjarjes nuk janë konstatuar shenja dhune dhe as indicie për përfshirjen e ndonjë personi tjetër.
Veizi kishte ndjekur studimet në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë dhe në Scuola del Balletto di Toscana në Itali, ndërsa gjatë karrierës së tij ishte angazhuar në disa institucione të njohura artistike në Evropë.
Ai kishte punuar në Operën Kombëtare Shqiptare, Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, Ballet Vorpommern dhe TanzTheaterMünster. Gjithashtu, kishte bashkëpunuar me koreografë të njohur dhe kishte interpretuar role të ndryshme kryesore në skenat e vallëzimit.
Në vitin 2022, balerini shqiptar iu bashkua Teatrit Shtetëror të Regensburgut, ku krahas angazhimit si interpretues zhvilloi edhe veprimtarinë e tij si koreograf. Në fillim të këtij sezoni, ai mori përsipër edhe drejtimin e përkohshëm të Kompanisë së Vallëzimit.
Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje në mesin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, ndërsa Teatri Shtetëror i Regensburgut ka shprehur ngushëllimet për humbjen e artistit.
“Me hidhërim të thellë mësuam për vdekjen e papritur të kolegut dhe mikut tonë Leander Veizi. Vajtojmë për humbjen e një miku dhe artisti frymëzues. Mendimet tona janë me familjen e tij në Shqipëri, Itali dhe SHBA, partneren e tij dhe të dashurit e tij më të ngushtë”, thuhet në reagimin e teatrit.
Në shenjë nderimi për artistin, në ambientet e teatrit, në Bismarckplatz, është hapur edhe një libër ngushëllimesh, ku qytetarët dhe kolegët kanë mundësi të shprehin mesazhet e tyre për të.









