Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar mënyrën se si Qeveria Kurti po e menaxhon situatën energjetike, duke paralajmëruar se importi i energjisë elektrike gjatë dimrit mund t’i kushtojë Kosovës deri në 300 milionë euro shtesë.
Haradinaj tha se po të ishte në pozitën e kryeministrit, do të ishte alarmuar për situatën dhe do ta trajtonte me më shumë seriozitet.
“Unë mendoj që këtu është një ekip i dobët i zotëri Kurtit që e menaxhon këtë situatë. Edhe unë, po të isha kryeministër, shumë isha ndier i shqetësuar për dimrin që po vjen dhe se si do ta menaxhoja këtë situatë. Bile, unë edhe isha alarmuar. Nuk kisha lëshuar batuta në opinion publik, por do ta kisha marrë shumë seriozisht këtë punë”, deklaroi Haradinaj.
Ai paralajmëroi se Kosova do të detyrohet të blejë energji elektrike nga jashtë dhe se, sipas tij, kjo situatë do t’u sjellë përfitime kompanive që ai i quajti “mafia energjetike ballkanike”.
“Është kryesisht lajm i mirë për ata që i kemi quajtur ne mafia energjetike ballkanike, sepse i kanë fërkuar duart që do t’i shesin Kosovës rrymë edhe për 200-300 milionë euro shtesë, dhe qytetari do ta paguajë”, u shpreh Haradinaj.









