Një mosmarrëveshje për shitjen e tokës ka përfunduar me dhunë dhe kërcënime brenda një familjeje në Rahovec. Një 76-vjeçar ka denoncuar në Polici djalin e tij, i cili dyshohet se e ka sulmuar fizikisht në orët e hershme të mëngjesit, për shkak se babai nuk pranonte ta shiste tokën. Përveç dhunës, i moshuari ka deklaruar se i biri kishte kërcënuar me vrasje familjarët.
Burimet bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të premten, më 6 nëntor 2026, rreth orës 04:00, në rrugën “Halil Hamza” në Rahovec.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, A.J., rreth 76-vjeçar, ka deklaruar se ndodhej në dhomën e tij kur është sulmuar fizikisht nga djali, M.J., rreth 43-vjeçar.
Shkak i përplasjes, sipas denoncimit të babait, ishte refuzimi i tij për ta shitur tokën.
Por dhuna fizike nuk ishte pretendimi i vetëm që i moshuari paraqiti para hetuesve.
Ai ka deklaruar se djali i tij e kishte kërcënuar edhe me fjalët:
“Kam me ju vra krejt!”
Rreth orës 05:00, 76-vjeçari është paraqitur në Stacionin Policor në Rahovec, ku ka raportuar sulmin dhe kërcënimet.
Pas pranimit të denoncimit, Policia ka ndërhyrë në shtëpinë e familjes, ku rreth orës 05:40 ka arrestuar 43-vjeçarin dhe e ka shoqëruar në stacion.
Gjatë testimit me alkoolmatës, të dyshuarit i është regjistruar vlera 0.61 mg/L.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka urdhëruar inicimin e procedurës për “Dhunë në familje”.
Me vendim të Prokurorisë, 43-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e rrethanave të sulmit dhe kërcënimeve.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera lidhur me lëndimet eventuale të 76-vjeçarit.








