Aleanca ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke vlerësuar se gjetjet e tij dëshmojnë dështimin e pushtetit në zbatimin e reformave dhe avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Në një komunikatë për media, kjo parti opozitare e ka cilësuar raportin si dëshmi të degradimit institucional gjatë gjashtë viteve të fundit, ndërsa ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe bllokim të proceseve reformuese.
“Raporti i sotëm i Progresit nga Komisioni Evropian është shuplaka e fundit për këtë pushtet dhe pasqyra reale e një degradimi të gjatë. Pas më shumë se gjashtë viteve në qeverisje, kjo qeveri dëshmoi prap se ka mbetur në dorën e njerëzve të padijshëm dhe të korruptuar”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Sipas kësaj partie, vlerësimet e Komisionit Evropian për mungesë përparimi në disa fusha dhe përparim të kufizuar në të tjera dëshmojnë se Kosova ka ngecur në procesin e integrimit evropian.
Aleanca ka theksuar se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar përparim në funksionimin e gjyqësorit, ndërsa rezultatet në luftimin e korrupsionit mbeten të kufizuara.
Në reagim, partia opozitare ka kritikuar edhe menaxhimin e financave publike dhe zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të Komisionit Evropian, për të cilat pretendon se Qeveria ka dështuar.
Kritika janë drejtuar edhe ndaj politikave ekonomike të ekzekutivit. Sipas Aleancës, ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga konkurrueshmëria e dobët, varësia e lartë nga importet dhe problemet me papunësinë, veçanërisht te gratë dhe të rinjtë.
Partia ka ngritur shqetësime edhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhunën me bazë gjinore dhe gjendjen e mediave.
“Aleanca ka paralajmëruar në vazhdimësi se kjo mënyrë e papërgjegjshme e udhëheqjes do t’i kushtojë shtetit tonë”, thuhet në reagim.








