Në dokument përmendet një mesazh për një shofer që dyshohet se ishte ndaluar me pesë “copa” gjatë hyrjes në Zvicër, ndërsa një tjetër komunikim lidhet me një BMW X6 prej 105 mijë eurosh
Në pjesën e parë të kërkesës për vazhdimin e paraburgimit, Prokuroria Speciale përshkruan komunikimet që ia atribuon Rexhep Nikqit në platformën Sky ECC dhe pretendon se ato lidhen me koordinimin e transportit të heroinës.
Sipas dokumentit, Nikqi dyshohet se ka komunikuar me Abedin Gjakovën, Ragip Bislimin, Safet Ljajiqin, Artan Gjoçajn, Erduan Ismajlin, Kurbin Dezadar-in, Roland Beqirin dhe persona të tjerë nga Kosova dhe jashtë saj.
Prokuroria pretendon se Nikqi dhe Abedin Gjakova kanë pasur role të ndara në përpunimin e heroinës. Në kërkesë thuhet se Gjakova dyshohet se merrej me testimin e pastërtisë, ndërsa Nikqi me përzierjen e substancës me përbërës të tjerë.
“M’ka ra shoferi me 5 copa”
Në një fragment të komunikimit të datës 3 mars 2021, të përfshirë në dokument, llogaria që Prokuroria ia atribuon Nikqit shkruan: “Se pata pak telashe m’ka ra pram shoferi me 5 copa tu hi zvicer pej italise.”
Në dokument thuhet se kjo bisedë lidhet me një rast ku rreth pesë kilogramë heroinë dyshohet se ishin konfiskuar në kufirin mes Zvicrës dhe Italisë. Prokuroria pretendon se narkotiku ishte transportuar për llogari të Nikqit, Gjakovës dhe personave të tjerë të dyshuar.
Në këtë pjesë, dokumenti nuk e paraqet vetëm komunikimin. Prokuroria e lidh atë me një rast konkret të ndalimit të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i cili, sipas kërkesës, po transportonte narkotik.
Megjithatë, për ta verifikuar plotësisht këtë pretendim nevojiten aktet e sekuestrimit, vendimet e autoriteteve zvicerane dhe italiane, si dhe dokumentet që dëshmojnë se transporti lidhej me personat e përmendur në kërkesë.
BMW X6 dhe 105 mijë euro
Në faqet 12 dhe 13 të dokumentit, Prokuroria përmend edhe një BMW X6 të zezë me targa PR-609-BD. Sipas kërkesës, në komunikim shfaqen shumat “105000 euro” dhe një bisedë për 100 kilogramë substancë të cilës i janë shtuar 10 kilogramë përzierës.
Prokuroria pretendon se në këtë rast automjeti ishte blerë me para të përfituara nga shitja e narkotikëve dhe se ishte regjistruar në emër të djalit të Nikqit. Sipas dokumentit, automjeti është sekuestruar më 3 qershor 2026.
Kjo pjesë e materialit ngre disa pyetje që duhet të marrin përgjigje në fazën e mëtutjeshme të hetimit: a është verifikuar burimi i parave; çfarë përmban procesverbali i sekuestrimit; a është kryer ekspertizë e komunikimeve dhe fotografive; dhe si është lidhur automjeti me personin që Prokuroria e identifikon si përdorues të llogarisë Sky ECC.
Prokuroria: komunikimet lidhen me prova të tjera
Në pjesën e përgjithshme të kërkesës, Prokuroria thotë se komunikimet e Sky ECC duhet të lexohen bashkë me kalimet kufitare, automjetet, telefonat e sekuestruar dhe rastet e kapjes së narkotikëve.
Pra, dokumenti nuk pretendon se një mesazh i vetëm e provon të gjithë veprimtarinë. Sipas Prokurorisë, dyshimi ndërtohet nga kombinimi i mesazheve, fotografive, udhëtimeve dhe provave materiale.
Rexhep Nikqi dhe personat e tjerë të përmendur në këtë artikull e gëzojnë prezumimin e pafajësisë. Pretendimet e Prokurorisë do të duhet të vlerësohen nga gjykata dhe të ballafaqohen me qëndrimet e mbrojtjes.
Operacioni “Qielli i Thyer” është bërë publik për herë të parë më 3 qershor 2025, kur Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës njoftuan për arrestimin e 22 personave të dyshuar për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash. Operacioni ishte zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa sipas njoftimit të autoriteteve ishin kontrolluar 47 lokacione. Në atë fazë u raportua për sekuestrimin e narkotikëve, veturave, parave, armëve, pajisjeve elektronike dhe dokumenteve, ndërsa hetimi lidhej me komunikimet në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC.
Më 24 shtator 2025, Prokuroria njoftoi për një zgjerim tjetër të operacionit, me shtatë arrestime dhe kontrolle në 25 lokacione. Sipas njoftimit të publikuar nga Insajderi, personat dyshoheshin për pjesëmarrje në grup të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për pastrim parash. Në këtë valë u raportua për sekuestrimin e më shumë se gjysmë kilogrami kokainë, 11 mijë eurove, 34 veturave, shtatë armëve dhe dokumenteve me identitete të rreme. Autoritetet thanë se operacioni ishte mbështetur nga bashkëpunimi me Belgjikën, Francën, Holandën dhe EUROPOL-in.
Në qershor 2026, Insajderi publikoi se dosja ishte zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë, përfshirë Mentor Imamin dhe Princ Dobroshin. Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, Imami ishte lidhur nga Prokuroria me një ngarkesë prej 83.5 kilogramësh heroinë, të sekuestruar në shkurt 2022 në Han të Elezit, në një kamion që transportonte ngrohës elektrikë nga Turqia drejt Prishtinës. Në të njëjtin raportim u tha se hetimet e Prokurorisë Speciale mbështeteshin në komunikime të koduara të Sky ECC dhe se rrjeti dyshohej për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe shpëlarje parash.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale e datës 27 tetor 2026 për vazhdimin e paraburgimit paraqet një fazë të re të këtij hetimi. Në të përmenden transkripte të Sky ECC, raporte të ekzaminimit të pajisjeve elektronike, prova financiare, pasuri, automjete, sekuestrime dhe kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Prokuroria thotë se hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe se komunikimet e Sky ECC po ndërlidhen me prova të tjera.
Për këtë rast në qershor 2025 u arrestuan Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismajli, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajic.
Në shtator 2025 pastaj u arrestuan edje Arxhend/Argjent Qupevaj, Arben Qupevaj, Albin Qupevaj, Ekrem Bajrami, Visar Muriqi, Astrit Kazmi dhe Fatmir Mujaj.
Të arrestuar më herët dhe të liruar me dorëzani janë Armend Ismajli, Edin Berisha dhe Lorik Tigani – 10 mijë euro secili, sipas vendimit të raportuar më 3 shtator 2026.
Të identifikuar publikisht si nën hetime, pa arrestim të konfirmuar janë edhe Princ Dobroshi, Mentor Imami, Mërgim Demiri, Erduan Vokshi, Egemen Vokshi, Shenasi Loha, Xhevat Vuçetaj/Dzevad Prelvukaj, Ragip Ahmetaj, Nekë Përgjegjaj, Fadil Baleci, Fuad Hajdari, Agim Hoti, Mustafë Hajdini, Hajridin Habiballar, Besart Bekteshi dhe Lulzim Halimi.
Në mesin e 22 personave të arrestuar në valën e parë të operacionit ‘Qielli i Thyer’ ishte edhe Rifat Vuçetaj që është babai i gjyqtares së Albina Vuçetaj, ndërsa Xhavit Vuçetaj, vëllai i tij, u përmend në të njëjtin raportim lidhur me bastisjen në familjen Vuçetaj. Edhe Rifat Vuçetaj më vonë u lirua me dorëzani nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, derisa në këtë rast, gjyqtar i procedurës paraprake është Kushtrim Shyti.








