Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi Ramaj ka kërkuar që të ftohen për intervistim lidhur me përgjegjësitë institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt kryeministri Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ajo ka prezantuar pesë kërkesa para prezantimit të planit të veprimit nga ky komision hetimor, i cili po udhëhiqet nga deputeti i Aleancës, Burim Ramadani.
Propozimet e deputetes:
Ka qenë shumë me rëndësi me siguru llogaridhënie institucionale dhe politike mbi bazën e fakteve dhe provave. Edhe pse do t’i dërgojmë deri të mërkurën tjetër rekomandimet për planin e veprimit, sepse është shumë e rëndësishme që gjithçka të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më profesionale. Për sot kisha dashtë që t’i propozojë disa gjëra: Së pari, ndërtimin e kronologjisë institucionale ta bëjmë nga denoncimi i parë deri tek vrasja, duke kërku çdo veprim ose mosveprim; së dyti, zbatimin e detyrimeve ligjore nga Policia, Prokuroria, Gjykata dhe mekanizmat e mbrojtjes së viktimave; së treti identifikimin e dështimeve sistemike në vlerësimin e rrezikut, koordinimin, masat mbrojtjes dhe mbikëqyrjen institucionale; së katërti, angazhimin e ekspertëve të pavarur të së drejtës penale të mbrojtes nga dhuna në familje për një vlerësim profesional dhe objektiv. Së pesti, shqyrtimin e përgjegjësisë drejtuese dhe politike. Propozoj që në kalendarin e dëgjimeve të përfshihen Ministrja e Drejtësisë, ai i Punëve të Brendshme dhe kryeministri.








