QE 24 VITE NË KËRKIM TË SË VËRTETËS!
Ne si familje kërkojmë që rasti Kiqina–Ramadani, një nga rastet më skandaloze në drejtësinë e Kosovës, të trajtohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Fillimisht, këtë kërkesë publike ua drejtoj dy deputetëve nga Drenasi: Fadil Demakut, ish-drejtor i SHIK-ut, disa herë deputet dhe dikur me ndikim të madh politik, si dhe Altin Krasniqit, i cili, për shkak të historisë së familjes së tij, e di mirë çfarë do të thotë padrejtësia.
Pas 24 vitesh, përkundër hezitimeve të mëdha të Prokurorisë Speciale, e cila fillimisht pretendonte se nuk e posedonte lëndën Kiqina–Ramadani, ne si familje, duke paraqitur dëshminë e EULEX-it se lënda me 24 folderë ishte kthyer në Prokurorinë Speciale dhe duke iu drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi, arritëm pas 8 muajsh ta sigurojmë lëndën.
Në këtë lëndë kemi zbuluar prova që ishin fshehur për të mbyllur një krim duke dënuar persona të pafajshëm. Janë gjetur strishot e deklaruara të humbura, të dhëna për gjatësinë e vrasësve, komunikime që ngrenë dyshime për ndërhyrje të kundërligjshme, raporte fillestare ku më vonë janë ndryshuar emrat e personave dhe shumë prova të tjera.
Kërkojmë përgjigje se si u gjetën këto prova pas 24 vitesh dhe pse ende po na mohohet mundësia për ta zbardhur të vërtetën.
Nëse brenda 7 ditësh këta dy deputetë nuk shprehin vullnet për të marrë iniciativën e debatimit të këtij rasti në Kuvend, do t’u drejtohemi të gjithë deputetëve të tjerë.
Pas 24 vitesh kërkojmë të vërtetën: Kush i mbajti këto prova larg drejtësisë, pse nuk u zbuluan më herët dhe pse ende refuzohen kërkesat tona për drejtësi?
24 vite janë shumë. E vërteta nuk mund të mbahet e fshehur përgjithmonë!








