Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kërkuar përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke vlerësuar se dorëheqja e dy ministrave do të ishte masa minimale që duhej të ndërmerrej pas kësaj ngjarjeje tragjike.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Gjini e ka cilësuar rastin si makabër dhe ka theksuar se ajo që e bën edhe më shqetësues është fakti se Arlinda kishte kërkuar ndihmë, por nuk e kishte marrë atë.
“Ky rast e ka shkund Kosovën, është një rast makabër. Arlinda kishte kërkuar ndihmë, ndihmë që ka munguar. Nëse nuk ka reaguar policia, kujt t’i drejtohemi? Nëse prokuroria nuk ka reaguar, kujt t’i drejtohemi?”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka vlerësuar se pas një rasti të tillë, dorëheqja e dy ministrave është minimumi i përgjegjësisë politike që duhet të merret.
“Gjëja më e vogël që kish mujt me ndodhë është me u dorëheqë dy ministrat. Në vende të tjera dorëhiqen edhe për gjëra shumë më të vogla”, ka theksuar ai.
Gjini ka ngritur shqetësimin se gjatë këtij viti Kosova është përballur me shumë vrasje nga familjarë ose persona të afërt. Ai ka theksuar se rasti i Arlindës duhet ta shtyjë vendin të rishikojë mënyrën se si institucionet reagojnë kur qytetarët kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje.
Gjini ka bërë të ditur gjithashtu se Aleanca i mbështet protestat e organizuara pas vrasjes së Arlindës dhe se shumë anëtarë të kësaj partie janë pjesë e tyre.








