Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmjen e së martës për arrestimin e Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e rëndë të Arlinda Zekajt.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi është realizuar rreth orës 23:40, pas angazhimeve operative dhe hetimore për lokalizimin e tij.
Sylaj ishte në kërkim nga organet e rendit lidhur me rastin e vrasjes së rëndë që ndodhi më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Policia ka bërë të ditur se në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit ka ndihmuar edhe bashkëpunimi me qytetarët, të cilët i ka falënderuar për informacionet e ofruara.
Në media është publikuar fotografia kur Sylaj është dërguar në stacionin policor në Pejë.









