Shkruan Ismet HAZIRI
Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, modeli i rekrutimit ka mbetur i pandryshuar për tri dekada. Lista zgjedhore hartohet nga kryetari, miratohet nga këshilli i ngushtë dhe duartrokitet nga baza. Kriteri përcaktues nuk është “çfarë pune ke bërë”, por “sa vite ke në parti”. Të dhënat e organizatave hulumtuese në rajon tregojnë se 60-70% e deputetëve janë anëtarësuar në strukturat rinore partiake para moshës 25-vjeçare. Trajektorja profesionale e tyre është lineare: asistent deputeti, këshilltar ministri, deputet. Ata kurrë nuk kanë pasur punëdhënës tjetër përveç partisë dhe kurrë nuk kanë pasur të ardhura jashtë buxhetit që kontrollohet nga partia. Prandaj partia për ta nuk është ideologji, por kusht i mbijetesës ekonomike. Kur partia është bukë, buka nuk kritikohet.
Në këtë model, shoqëria civile pozicionohet si kërkuese e vendeve. Ajo i drejtohet partisë së madhe për dy-tri vende në listë, duke pranuar logjikën se legjitimiteti buron nga kryetari. Në këtë mënyrë, ajo shndërrohet në dekor të snobizmit partiak, jo në alternativë.
Modeli i ri serb: plenumi si mekanizëm rekrutimi
Lëvizja studentore e përmbysi logjikën. Në vend që të kërkonte vende, kërkoi tërheqjen e partive. Kriteret e vendosura përbënin një goditje direkte ndaj modelit ballkanik: moshë madhore dhe shtetësi, asnjëherë anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS), jo funksionar i partive opozitare, pa dënime mbi një vit burg, si dhe kalimi i filtrit të plenumit studentor.
Elementi vendimtar ishte e drejta e vetos së plenumit. Çdo fakultet, në përpjesëtim me madhësinë e tij, propozonte kandidatë, kurse plenumi kishte të drejtë t’i refuzonte. Vetëm në shtator 2026 u hoqën 35 emra nga lista, përfshirë rektorin e Universitetit të Beogradit, i cili publikisht kishte shprehur gatishmëri për të qenë bartës i listës. Në cilin vend të rajonit ka ndodhur që një plenum studentor të rrëzojë një rektor nga lista zgjedhore?
Ky mekanizëm prodhoi besim profesional, jo besnikëri partiake. Fakulteti i Mjekësisë propozoi kirurgun që e njeh në sallën e operacionit, jo në selinë e partisë. Fakulteti i Bujqësisë propozoi bujkun që e njeh në treg. Si rezultat, nga 140 deputetët e rinj, mbi 93% kanë mbi dhjetë vjet përvojë të dokumentuar pune jashtë politikës. Rreth 75% kanë përvojë të lartë akademike dhe profesionale të verifikueshme. Ata kanë klinikën, katedrën, tokën dhe zyrën e tyre private. Prandaj nuk kanë nevojë për partinë për të siguruar ekzistencën dhe prandaj mund të mbajnë qëndrim.
Të dhënat krahasuese janë domethënëse. Në parlamentin e ri serb, rreth 35% janë profesorë universitarë efektivë, 14% mjekë, 11% bujq, punëtorë dhe sindikalistë, dhe 44% gra, pa kuotë të detyrueshme. Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, mesatarja është 8-12% profesorë universitarë, më pak se 2% bujq dhe punëtorë, dhe rreth 30% gra me kuotë.
Konkluzioni
Mësimi për shoqërinë civile në rajon është i qartë. Ballkani nuk vuan nga mungesa e kuadrove, por nga kriza e modelit të rekrutimit. Kuadro ka në QKUK, në Universitetin e Prishtinës, në shkollat e Tetovës, në arat e Lushnjës dhe të Kumanovës. Por modeli parti-ndërmarrje i përjashton, sepse pyet “kush të solli?” dhe jo “çfarë ke punuar?”.
Shoqëria civile ka dy rrugë: e para, të vazhdojë të trokasë për dy vende në listën e kryetarit dhe të mbetet dekor; e dyta, të ndërtojë plenumin e vet, me rregulla, me veto dhe me shpërndarje sipas profesionit, dhe t’i thotë partisë: “Tërhiqu, listën e bëjmë ne. Mandati nuk është shpërblim, as privilegj, as fillim i karrierës politike. Mandati është borxh ndaj qytetarit”.








