Larja e ushqimeve para përgatitjes konsiderohet nga shumë njerëz si një rregull bazë i higjienës, por Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) paralajmëron se larja e mishit të gjallë, pulës, peshkut dhe vezëve mund të përhapë bakteret në kuzhinë, në vend që t’i largojë ato.
Shpëlarja e këtyre ushqimeve nën ujë të rrjedhshëm nuk i bën ato më të sigurta për konsum. Përkundrazi, pikat e ujit mund të bartin mikroorganizma drejt lavamanit, banakut, enëve dhe ushqimeve të tjera që nuk do t’i nënshtrohen gatimit.
Për këtë arsye, FDA këshillon që mishi i gjallë, shpendët, peshku dhe vezët të mos lahen para gatimit. Kjo nuk do të thotë se këto ushqime nuk kërkojnë kujdes gjatë përgatitjes, por se shpëlarja e tyre me ujë mund të krijojë më shumë rrezik sesa përfitim.
Uji mund të përhapë bakteret në kuzhinë
Shpëlarja e pulës së gjallë nuk e bën atë të sigurt për konsum. Bakteret eliminohen përmes trajtimit të duhur termik, përkatësisht gatimit, pjekjes ose skuqjes në temperaturën e nevojshme.
Kur uji bie mbi mishin e gjallë, pikat e tij mund të shpërndahen në rubinet, lavaman, banak, enë kuzhine dhe ushqime që ndodhen pranë. Kjo dukuri njihet si kontaminim i kryqëzuar dhe vlen edhe për llojet e tjera të mishit dhe peshkun e gjallë.
Edhe vezët nuk kanë nevojë të lahen para përdorimit
Vezët gjithashtu nuk duhet të lahen menjëherë para përdorimit, pasi ky veprim mund të përhapë mikroorganizma në duar, lavaman dhe sipërfaqet përreth.
Në vend të kësaj, rëndësi të veçantë ka larja e plotë e duarve dhe pastrimi i enëve e sipërfaqeve që kanë qenë në kontakt me vezët e gjalla.
Frutat dhe perimet duhet të lahen me ujë të rrjedhshëm
Ndryshe nga mishi i gjallë dhe shpendët, frutat dhe perimet e freskëta duhet të lahen nën ujë të rrjedhshëm para përgatitjes ose konsumimit, sipas këshillave të FDA-së. Për këtë qëllim nuk duhet të përdoren sapunë, detergjentë apo produkte komerciale për larjen e enëve.
Edhe frutat dhe perimet, lëkurat e të cilave nuk konsumohen, duhet të lahen para prerjes. Përndryshe, thika mund të bartë papastërti dhe mikroorganizma nga sipërfaqja e jashtme në pjesën që hahet.
Pra, rregulli “lani gjithçka para gatimit” nuk është gjithmonë mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë ushqimore. Frutat dhe perimet duhen larë me ujë të rrjedhshëm, ndërsa për mishin dhe shpendët e gjallë, siguria arrihet përmes higjienës së duhur gjatë përgatitjes dhe gatimit të plotë.








