Një takim me një grua që e njihte prej kohësh dyshohet se u kthye në kurth për një 43-vjeçar, i cili përfundoi pranë një mali në Lipjan, ku u kërcënua me thikë dhe u grabit. Një Land Rover, një defekt i pretenduar dhe një “mjeshtër” që dyshohet se në vend të riparimit të veturës nxori thikën – kjo është historia që viktima e ka denoncuar në Polici.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se dy personat e dyshuar për këtë grabitje janë Arta Aliu dhe Betim Bedrolli, ndërsa viktima është F. Skeraj, 43-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka nisi më 24 tetor 2026, rreth orës 10:15, në rrugën “Avdi Kelmendi”, afër pompës IP Petrol, ku Arta Aliu, të cilën viktima e njihte prej më herët, e kishte marrë me një Land Rover.
Në një moment, sipas denoncimit, gruaja i kishte thënë se automjeti ishte prishur dhe se po thërriste një mjeshtër.
Mirëpo, “mjeshtri” që u paraqit ishte Betim Bedrolli, i cili mori timonin dhe i dërgoi drejt një destinacioni që viktima nuk e njihte.
Udhëtimi përfundoi në fshatin Akllap të Lipjanit, pranë një zone malore.
Aty, sipas deklarimit të Skerajt, dy të dyshuarit e detyruan të zbriste nga vetura, ndërsa Bedrolli nxori një thikë dhe i kërkoi t’i zbrazte xhepat e t’ia dorëzonte sendet personale.
I kërcënuar, 43-vjeçari deklaroi se kishte dorëzuar gjërat që mbante me vete.
Pas kësaj, dy të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën dhe automjetin pranë malit.
Rreth orës 15:20, Skeraj u paraqit në Stacionin Policor në Lipjan, ku denoncoi rastin.
Me urdhër të Prokurorisë, është iniciuar hetimi për veprën penale “Grabitja”, ndërsa njësia e hetimeve është angazhuar për lokalizimin e dy të dyshuarve.
Arta Aliu dhe Betim Bedrolli, sipas informacioneve fillestare policore, ende po kërkohen nga Policia.








