Më 15 dhjetor bëhen 4 vjet qëkur Kosova, aplikoi për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkim Evropian.Nga ajo ditë, Brukseli kurrë nuk veproi për të ecur para me këtë kërkesë të Kosovës.
Gjatë vizitës së saj në Prishtinë, më 1 tetor, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen tha se bashkë me Kosovën, duhet të binden 27 vendet anëtare që të procedohet me statusin e vendit kandidat.
Por, Toby Vogel, ekspert për Ballkan në Këshillin për Politikat e Demokratizimit me bazë në Bruksel, thotë se është pikërisht Komisioni ai i cili, sipas tij duhet të dalë me “Propozime Kreative” rreth perspektivës evropiane të Kosovës.
Kjo për vetë faktin që pesë vendet anëtare, Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja e Sllovakia nuk e njohin shtetin që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Megjithatë, sipas tij, në Bashkimin Evropian e as brenda shteteve anetare nuk ka vullnet politik që një gjë e tillë të ndodhë.
Sa i përket dialogut, Vogel ka thënë se emisari special, Peter Sorensen, aktualisht është në fazën e dëgjimit dhe se, sipas tij, nuk pritet të ketë zhvillime në muajt në vijim.
“Pa presion ndaj Beogradit, nuk shoh që gjërat do të lëvizin”, ka thënë Vogel.








