Publikohet emri i “agjentit” të vetëshpallur të AKI’së, i cili u arrestua nga policia

Për gati dy vjet dyshohet se e mbajti me shpresa për punësim në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke i marrë vazhdimisht para. Një 25-vjeçar nga Prishtina është arrestuar nën dyshimin se ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i AKI-së dhe kishte shfrytëzuar këtë identitet të rremë për t’i marrë para një qytetari, të cilit i premtonte se do t’ia siguronte një vend pune në institucionin e inteligjencës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Donat Novosella, rreth 26-vjeçar, ndërsa personi që ka denoncuar rastin është A.B., rreth 32-vjeçar.

Sipas informacioneve të siguruara, gjithçka dyshohet se kishte nisur në fillim të vitit 2025 dhe kishte vazhduar edhe gjatë vitit 2026.


Gjatë kësaj periudhe, Novosella dyshohet se i ishte prezantuar A.B si person zyrtar, më konkretisht si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Duke pretenduar se kishte lidhje me institucionin e inteligjencës, ai dyshohet se i kishte kërkuar vazhdimisht shuma të ndryshme parash, në këmbim të premtimit se do ta punësonte në AKI.

Shuma e përgjithshme e parave që dyshohet se janë marrë ende nuk është bërë e ditur.


Pas një periudhe të gjatë, më 8 tetor 2026, A.B e ka denoncuar rastin në Polici, duke ngritur dyshime se kishte qenë viktimë e një mashtrimi të vazhdueshëm.

Por ajo që e bën këtë rast edhe më të veçantë është përfshirja e vetë Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në koordinimin e veprimeve hetimore.


Pas denoncimit, hetuesit e Prishtinës, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime për verifikimin e pretendimeve dhe sigurimin e provave.

Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë hetimeve janë siguruar prova dhe dëshmi që mbështesin dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.


Pas këtyre veprimeve, më 21 tetor 2026, Novosella është ftuar për intervistim nga hetuesit.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Donat Novosella është ndaluar për 48 orë.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar shumën e parave të përfituara, mënyrën e realizimit të dyshuar të mashtrimit dhe rrethanat e tjera të çështjes.

Ndërkohë, mbetet të përcaktohet se sa para dyshohet se janë marrë gjatë kësaj periudhe dhe nëse i dyshuari ka përdorur ndonjë dokument apo mjet tjetër për ta bërë më bindës prezantimin e tij të rremë si punonjës i AKI-së.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit